Kombetarja

Nation League / Tuci e Ramadani: Jemi fokusuar tek ndeshja me Çekinë, këtu do jetë ndryshe

Nga Gazeta Si- Kanë mbetur vetëm katër ditë nga sfida e parë e Kombëtares kundër Çekisë (16 nëntor, ora 20:45), e vlefshme për Nations League, kuqezinjtë vijojnë sipas programit stërvitjet dhe përgatitjet.

Dy lojtarët e Kombëtares, sulmuesi Indrit Tuci dhe mesfushori Ylber Ramadani treguan në konferencën për media se si po shkojnë përgatitjet e kuqezinjve, ndërsa nënvizuan se janë të fokusuar fillimisht te ndeshja e parë.

I grumbulluar për herë të dytë me Kombëtaren, Indrit Tuci vlerësoi çekët për lojën që bëjnë, ndërsa theksoi se kuqezinjtë po marrin masat e duhura për të dyja ndeshjet. Sulmuesi tregoi se është në gjendje të mirë fizike, teksa tha se është gati për të dhënë maksimumin e tij nëse trajneri i beson minuta në ‘Air Albania’. Tuci nuk sheh rivalë në Kombëtare, ndërsa tha se kuqezinjtë luajnë për kombin shqiptar dhe shpreson të shënojë edhe gol te këto sfida.

I pyetur nëse ka presion që mbetet alternativë në sulm, ai tha se “presion nuk kam, por kam qejf sepse është hera ime e parë që do të luaj në ‘Air Albania’ dhe stadiumi është sold out. Këtë e marr si motivim dhe jo presion. Nëse trajneri më beson, jam gjithmonë i gatshëm ta bëj punën time”.

Ai tha se çekët i njeh mirë sepse kanë një stil loje që edhe u pa në ndeshjen e parë.

“Janë fizikë, luajnë me topa të gjatë, do të bëjmë ç’është e mundur që t’i ndalojmë dhe të jemi më luftëtarë në topat e dytë. Ata kanë një sulmues të gjatë dhe duhet ta mbulojmë sa më mirë dhe shpresoj që ashtu sikurse në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, t’i neutralizojmë, të bëjmë një ndeshje të njëjtë dhe të kënaqim tifozët”, tha Tuci, duke shtuar se beson se është gati për ndeshjen..

“Kam bërë të gjitha testet dhe analizat dhe më kanë dalë mirë. Mund të ketë ndonjë shqetësim të vogël, por s’do të thotë asgjë. Këtu jemi për Kombëtaren dhe duhet të japim gjithçka”.

I pyetur për ‘konkurrentin’ e tij në Kombëtare, Tuci tha se ka ardhur në Kombëtare që të japë më të mirën.

“Këtu nuk jemi në klub, ku mund të mërzitesh se pse nuk luan. Kombëtarja është komplet ndryshe, nuk je këtu për veten. Je për kombin, për emblemën. Duhet të japim maksimumin, aq minuta sa je në fushë”.

Tuci u shpreh për mediat se çdo ditë e mendon golin, edhe para se të flejë.

“E mendoj golin dhe si mund ta shënoj. Objektivi im është që të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin. Goli është i mirëseardhur nëse vjen”.

Ndërsa Ylber Ramadani vlerësoi të dy kundërshtarët dhe theksoi se fokusi fillimisht është te ndeshja e radhës ndaj Çekisë. Mesfushori nënvizoi se Kombëtarja do të japë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv në të dyja takimet.

“Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Europian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës ndaj Çekisë, pastaj Ukrainën. Nuk do të jetë e lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne jemi duke u përgatitur. Avantazhi jonë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në “Air Albania”, kjo është një shtysë e madhe për ne”, tha Ramaani, duke shtuar se gjithmonë ka pasur presion për një vend në grup por kanë ditur si ta menaxhojnë.

“Ne e dimë si duhet të luajmë me Çekinë. Atje u mundëm nga duelet dhe topat e gjatë, por mendoj që këtu do të jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të futemi në fushë shumë seriozisht dhe ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur”, tha Ramadani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë