Nga Gazeta 'SI' - INSTAT ka publikuar për herë të dytë anketën e strukturës së të ardhurave nga puna, me bazë të dhënat e vitit 2022. Në total, hendeku gjinor i pagës mesatare është 6.7%, por ai thellohet ose zbutet në sektorë të caktuar. Në vitin 2018, kur anketa u publikua për herë të parë, hendeku ishte 6.81%.
Nga gjetjet e Institutit rezulton se në çdo aktivitet, gratë janë më pak të paguara se burrat, pavarësisht formimit të tyre profesional dhe pozicionit. Krahasuar me të dhënat e 2018-s kur gratë zinin 49.4% të tregut të punës, struktura gjinore në 2022-shin ka ndryshuar dhe dominohet nga gratë, 51.8%.
Hendeku gjinor i pagës është më i madh në aktivitetin e industrisë përpunuese, 27%, ku një burrë paguhet afërsisht 400 lekë ora, ndërsa një grua rreth 250 lekë. Fusha e informacionit dhe komunikimit, si dhe sektori i aktiviteteve argëtuese kanë po ashtu një hendek të thellë të pagës.
Të ardhurat nga puna sipas aktiviteteve ekonomike janë më të larta në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me rreth 938 lekë për orë pune. Në këtë aktivitet femrat kanë të ardhura nga puna më të larta se meshkujt, të ardhurat mesatare për orë pune për femrat janë rreth 944 lekë dhe për meshkujt rreth 928 lekë.
Në sektorin bujqësor rezulton se gratë paguhen pak më shumë se burrat, 224 me 223 lekë.
Gratë në pozicionin e menaxhereve paguhen më shumë se burrat në të njëjtin pozicion, 922 lekë/ora me 872 lekë/ora.
Sipas madhësisë së ndërmarrjes ku janë punësuar, hendeku gjinor i pagës është më i thellë në ato të mesme me 50-249 të punësuar dhe 250-499 të punësuar. Në ndërmarrjet e mëdha, paga për një burrë dhe një grua ka diferencë me 5 lekë.
Gratë me arsim të lartë paguhen 487 lekë, kundrejt 595 lekëve që paguhen burrat me të njëjtin arsim.
Analizuar sipas grupmoshës, një burrë në moshën 40-49 vjeç paguhet 56 lekë më shumë se një grua në të njëjtën moshë. Diferenca është 12 lekë më shumë për grupmoshën nën 30 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.