Nga Gazeta ‘Si’- Trajner i taekwondos nga Kosova, Valmir Fetiu është pezulluar për gjashtë muaj. Shkak u bë një video, tashmë virale, ku ai goditi me shuplakë garuesen tetë vjeçare nga Kosova pas humbjes së kësaj të fundit në Kampionatin Europian të taekwondos në Tiranë.
Këtë gjest, ai e bëri pak momente pasi garuesja që ishte vajza e tij, pësoi humbje ndaj rivales serbe Nina Savic.
Më vonë në një prononcim të tij për media, Fetiu deklaroi se e kishte bërë me qëllimin për ta qetësuar.
“Ajo është shumë e mirë. Ajo ka qenë në vend të parë. Humbi, mori vendin e dytë në Evropian. Deri në finale kaloi dy luftëra. Ishte puna me serben më e ndjeshme dhe ishte arsyeja se ishte shumë më e mirë se ajo. Nuk e di pse u bllokua, por me siguri ka ndikuar. Ajo gjithmonë ia kapte këmbën dhe gjyqtari ka anuar kah serbja. U mbushën shumë gjëra, e kapa dhe i thashë të ndalet dhe të bëhemi gati për garat tjera. Nuk mund ta dojë askush më shumë se unë fëmijën tim. E shkrij gjithë pasurinë pas fëmijës tim, është logjike. Ajo ishte për ta qetësuar. U përgatit për ta fituar vendin e parë”, është shprehur Fetiu.
Sidoqoftë, përkundër kërkimfaljes dhe sqarimit të tij, ai nuk i ka shpëtuar dënimit pas këtij akti të kryer.
Bordi Mbikëqyrës i Garave në Kampionatin Evropian të Kadetëve 2024 në Tiranë, ka marrë vendim që ta pezullojë trajnerin për gjashtë muaj, për sjelljen e tij agresive ndaj garueses në përfundim të ndeshjes.
Në arsyetimin e tyre kanë thënë se incidenti i cili është incizuar nga kamerat e tregon qartë trajnerin duke bërë një veprim i cili nuk tolerohet në sport.
Pas këtij dënimi ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë profesionin e tij as në garat kombëtare e as në ato ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.