Gazeta Si – Një 40-vjeçar është arrestuar në Kurbin, pasi është kallëzuar nga bashkëshortja e tij për dhunë fizike, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Gjatë kontrollit fizikë në banesën e çiftit, policia gjeti dhe sekuestroi 2 armë gjahu dhe 455 fishekë armës zjarri.
“Si rezultat i reagimit të Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pasi një 38-vjeçare kallëzoi se dhunohej nga bashkëshorti i saj, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, konkretisht Sh. R., 40 vjeç, banues në Mamurras. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u krye kontroll në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën 2 armë gjahu, 300 fishekë automatiku dhe 155 fishekë pistolete, që mbaheshin pa leje, nga 40-vjeçari”, tha policia vendore.
Pas veprimeve të kryera, dosja i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Lezhës, për veprat penale “dhuna në familje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.