Nga Gazeta ‘Si’- Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.25% normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2.75%.
Paralelisht, normat e interesit të depozitës njëditore dhe kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë u ulën gjithashtu me 0.25% duke shkuar në nivelet 1.75% dhe 3.75%.
Guvernatori i BSH, Gent Sejko tha se referuar të dhënave zyrtare të Instat-it, ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit.
“Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur – në masën më të madhe – nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit, ndërkohë që rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe politika konsoliduese fiskale kanë pasur ndikim frenues.
Ky profil kërkese agregate ka sjellë një rritje të shpejtë të sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë ka shënuar tkurrje”, deklaroi Sejko.
Referuar tij, inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj tremujorit paraardhës.
“Rënia e inflacionit gjatë kësaj periudhe është diktuar nga rënia e çmimit të naftës dhe rritja më e ngadaltë e çmimit të qirave. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi një rritje të lehtë”, shtoi Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.