Ekonomi

PD rikthehet në komisione, ministri i Financës s’pranon minimumin jetik. Braçe: Hiqni TVSH-në në bujqësi, mos pyesni pse po ikin lopët!

Nga Gazeta ‘SI’ – Pjesa e dytë e debatit në komisionin e Ekonomisë, u fokusua në ofrimin e një pakete fiskale për vitin 2025, ndonëse qeveria nuk parashikon një të tillë.

Seanca e zhvilluar pasdite riktheu në Kuvend edhe deputetët e opozitës, Jorida Tabakun, Bujar Leskajn dhe Emilia Koliqi.

Fillimisht, deputeti i PS-së Erion Braçe propozoi rishikimin e skemës së TVSH-së në bujqësi, duke thënë se kjo ka goditur sektorin vendas.

“Sot veçanërisht në blegtori skema ka dhënë goditje të madhe, njerëzit nuk janë të interesuar të mbajnë bagëti, dhe fabrikat gjithashtu nuk janë të interesuara që të grumbullojnë qumësht brenda vendit sepse humbin para. E gjejnë më kollaj të marrin lëng në Hungari, Maqedoni dhe Serbi sesa të marrin atë qumësht që prodhohet në vend. Rënë në rendiment dhe në sasi. Ministria e bujqësisë ka 6 vite që vlerëson skemën e TVSH. Thoni pastaj ku kanë ikur lopët, kanë ikur pra bashkë me TVSH”, tha Braçe i cili theksoi dhe nevojën për monitorim në tregun e pesticideve, që futen në kontrabandë në Shqipëri.

Propozimi tjetër i Braçes ishte për sigurimin e banesave nga fatkeqësitë natyrore, ku qeveria duhet të njohë si shpenzim të zbritshëm nga tatimet një vlerë të caktuar për sigurimin e banesës.

“Të konsiderohet shpenzim i zbritshëm për çdo sigurim prone nga fatkeqësitë natyrore që sa vijnë e bëhen më të shpeshta. Ma zbrit mua nga tatimet e mia, nuk është ndonjë gjë e madhe. Po kërkoj 50-200 euro në vit policë sigurimi nga të ardhurat e mia të tatueshme. Nuk i bën ndonjë dëm të madh buxhetit të shtetit. Kemi 5 vite që paguajmë për tërmetin e vitit 2019-ës”, tha Braçe, i cili po ashtu kërkoi një pagë minimale të re për të rinjtë që punojnë me kohë të pjesshme dhe ndryshimi  e politikës për strehim social, në strehim për të rinjtë.

“Politika e 3% e strehimit social, ka dështuar. Propozoj që ky 3% të kalojë në një politikë që bëhet strehim dedikuar vetëm të rinjve, jo kategorive të tjera. Kështu siç është nuk po funksionon, dhe s’ka shtuar ndonjë apartament gjëkundi”, tha deputeti i PS.

Ndër të tjera Brace propozoi rritje të akcizës për cigaret elektronike dhe heqje të TVSH-së për paketat higjeno sanitare për gratë dhe një ditë pushim gjatë ciklit.

Një debat u hap midis zv.kryetares së komisionit, Blerina Gjylameti dhe deputetes Jorida Tabaku, pasi kjo e fundit tha se propozimi i Gjylametit për ndihmë shtesë për familjet me fëmijë autik, ishte propozim që e ka bërë vetë Tabaku dhe se qeveria po e rikthen për “efekt elektoral”.

Në fjalën e saj Tabaku risolli në vëmendje ngërçin me tatim-fitimin e profesionistëve të lirë, të cilët paguan taksën që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, deputetja demokrate pyeti ministrin e Financave dhe për propozimin e PD-së mbi minimumin jetik.

Ministri Malaj tha se minimumi jetik është refuzuar pasi është vlerësuar si i paplotë.

“Propozimi i bërë është i paplotë, sepse nuk ka një analizë të detajuar, pse ajo vlerë dhe jo një më e madhe. Propozimi i bërë nuk merret cakton nëse ai mbulon nevojat, nuk merr parasysh as ndihmat që qeveria jep në llogaritjen e minimumit jetik”, tha Malaj, duke shtuar se për profesionet e lira, qeveria ende po shqyrton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por është pro kthimit të parave të profesionistëve.

Në përgjigje të të gjitha propozimeve nga Erion Braçe, ministri i Financave tha se të gjitha këto propozime duhet të vijnë si nisma ligjore nga ministritë e linjës dhe më pas MF do t’i vlerësojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë