Nga Gazeta Si- “Unë konsumoj mish pule të fshatit. Megjithëse kushton 2000 lek/kg, preferoj shpendë të rritur në fshat sesa produkte të gatshme në market”.
Në tregjet e kryeqytetit, bashkë me zarzavatet dhe perimet, nuk mungojnë produktet shtazore, prodhimet bio siç duan t’i thonë tregtarët, siç janë qumështi, vezët dhe shpendët e gjallë ose të therur, zogj e pula fshati.
Ndonëse jemi në një situatë alerti, pas identifikimit të një vatre të gripit të shpendëve në zonën e Mëzezit, duket se për shqiptarët konsumi i mishit të pulës nuk njeh rënie.
I njohur për kosto të lirë në raport me mishin e bagëtisë, ku mishi i viçit njeh rritje gjithnjë e më shumë, (1300-1500 lek/kg), produktet e mishit të pulës, filetot, gjoksi i plotë (prodhime të firmave vendase) nuk janë tërhequr nga marketet.
LEXO EDHE:
–Gripi i shpendëve po përhapet më shpejt se në vitin 2023 në Europë
–Shpërthen gripi i shpendëve në Mëzez të Tiranës. Ndalohet lëvizja e tyre nga fermat Vorë dhe Kamëz
Të pyetur nga Gazetasi.al, në markete konfirmohet shitje normale e këtyre produkteve.
Alerti i dhënë nga ministria e Bujqësisë duket se nuk ka shqetësuar tregtarët e aq më pak firmat që mbarështojnë pula, stabilimente që zënë vendin e parë në tregun vendas sa i takon prodhimeve.
E megjithatë, një lloj hezitimi sheh tek ekspertët të cilët ngrenë dyshime për faktin nëse ka apo jo vatra të tjera në Shqipëri të gripit të shpendëve.
Kësaj pyetje, eksperti veterinar Rushan Vrapi i kontaktuar nga Gazetasi.al thotë se nuk di ti përgjigjet, megjithëse në raste të tilla, gjithmonë mundësia për përhapjen e virusit të gripit të shpendëve është.
‘Vatra e Mëzezit nuk lë vend për dyshime të përhapjes së virusit. Gjithmonë nëse nga ana e stabilimenteve ka transparencë në raportimin e sëmundjes nëse ndodh. Virusi H5N1 u zbulua pasi fermeri njoftoi autoritetet veterinare shtetërore pas ngordhjeve të papritura të shpendëve të tij në oborrin familjar.
Si pasojë, AKVMB ka marrë dhe ka dërguar mostra për analizë në ISUV, ku është konfirmuar me PCR prania e gripit të shpendëve (shtami H5N1), i cili është një shtam shumë patogjen.
Pas diagnozës, AKVMB ka marrë masa për eliminimin dhe groposjen e shpendëve në vatrën e prekur.
Gjithashtu, ka dezinfektuar fermën dhe e ka vendosur në karantinë shëndetësore për 21 ditë, sipas kërkesave të ligjit për shërbimin veterinar.
“Ekziston mundësia që të shfaqen vatra të tjera në muajt e ardhshëm, pasi gripi i shpendëve është një infeksion viral që përhapet në stinët e ftohta. Megjithatë, nuk ka vend për panik, pasi vatra është neutralizuar dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme”, thotë eksperti Rushan Vrapi.
Eksperti Vrapi shton ndër të tjera se konsumatorët duhet të jenë të qetë, pasi produktet e shpendëve janë të sigurta.
Shpendët e egër migratorë, eksportues të virusit
Në analizën e ekspertëve veterinarë, një nga shkaqet e prezencës së virusit të gripit të shpendëve H5N1 janë shpendët migratorë të egër që gjenden në liqene e laguna.
Në vazhdën e masave që duhet të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së virusit të gripit të shpendëve, janë dhe kontrollet në laguna e rezervuarë, për dezinfektimin e tyre nga shpendët e butë apo të egër të ngordhur, si pasojë e virusit.
Por a është ministria e Bujqësisë vigjilente për monitorimin dhe gjurmimin e këtij patogjeni?
Referuar direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (WOAH), nëse një shtet konfirmon praninë e gripit të shpendëve, ai ka detyrimin të njoftojë Organizaten.
Në këto raste, ndalohet importi i shpendëve të gjallë dhe mishit nga shteti që ka konfirmuar gripin në komplekset e tij industriale.
Eksperti veterinar Rushan Vrapi thotë se situata e influencës së shpendëve në rajon dhe Evropë ka qenë një sfidë e vazhdueshme, sidomos gjatë stinëve të ftohta, kur virusi H5N1 dhe shtame të tjera të gripit të shpendëve shpërndahen më lehtë.
“Vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia, kanë raportuar raste të gripit të shpendëve në fermat e tyre industriale dhe në popullatën e shpendëve të egër. Këto raste shpesh detyrojnë autoritetet të ndërmarrin masa strikte, si eliminimi i shpendëve të infektuar, dezinfektimi i fermave dhe vendosja e zonave të karantinës për të parandaluar përhapjen”, thotë Vrapi, duke shtuar se në Evropë, sidomos në vende si Polonia, Franca dhe Gjermania, virusi ka ndikuar në industrinë e shpendëve, me shpërthime të mëdha që kanë kërkuar ndërhyrje emergjente dhe ndalimin e lëvizjes së shpendëve nga zonat e prekura.
“Bashkimi Evropian ndjek protokolle të rrepta në këto raste, duke aplikuar monitorim dhe kontroll të rreptë të shpendëve në fermat e mëdha dhe të egra. WOAH koordinon njoftimet dhe masat ndërkombëtare, për të parandaluar përhapjen dhe për të ruajtur sigurinë ushqimore”, thotë eksperti Vrapi.
Sipas tij, për momentin, situata e gripit të shpendëve në Shqipëri është e kontrolluar dhe nuk ka vend për panik.
Konsumatorët duhet të jenë të qetë, pasi produktet e shpendëve janë të sigurta.
“Fermerët janë të lutur të njoftojnë autoritetet veterinare nëse vërejnë ngordhje të papritura të shpendëve në fermat e tyre, ndërsa qytetarët duhet të raportojnë menjëherë shpendë të ngordhur në rezervuarë, laguna ose liqene. Ndërsa pronarët e stabilimenteve duhet të jenë transparentë të raportojnë problematika që të mos gjenden para situatave si në vitet e shkuara ku nga mungesa e raportimit ngordhën mijëra shpendë nga stabilimente të mëdha duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në biznesin e tyre”, thonë ekspertët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.