Gjatë 100 viteve të fundit, hulumtimi i tuberkulozit ka shpëtuar miliona jetë, por nuk ka arritur të frenojë epideminë. Ndërsa disa zhvillime të fundit shkencore janë premtuese, përparimi është i ngadalshëm dhe kriza shëndetësore e tuberkulozit po përshkallëzohet.
Tuberkulozi (TB) është një sëmundje infektive e shërueshme dhe e parandalueshme. E megjithatë, 10.6 milionë njerëz u sëmurën me tuberkuloz dhe 1.3 milionë njerëz vdiqën prej tij në vitin 2022.
E vetmja sëmundje infektive që shkaktoi më shumë vdekje në vitet e fundit ishte Covid-19, në 2021 dhe 2022.
Të dyja sëmundjet kanë edhe ngjashmëri të tjera. Tuberkulozi përhapet edhe përmes ajrit, prek kryesisht mushkëritë dhe simptomat e zakonshme përfshijnë kollën, temperaturën dhe lodhjen. Megjithatë, ndryshe nga Covid-19, kërkimi mbi vaksinat, trajtimet dhe diagnostikimet për tuberkulozin është lënë pas dore për vite me radhë.
Dhe tani, pas viteve të rënies, numri i njerëzve që preken nga tuberkulozi është në rritje ndërkohë që OBSH e ka cilësuar si sëmundja infektive më vdekjeprurëse.
Trajtimet dhe vaksinat e tuberkulozit po mbeten pas
Ekziston vetëm një vaksinë e certifikuar për tuberkulozin: vaksina Bacille Calmette-Guérin (BCG).
Ajo u shpik mbi 100 vjet më parë, dhe ndërsa ka shpëtuar miliona jetë që atëherë, ka kufizime. Vaksina BCG siguron mbrojtje kundër formave më të rënda të tuberkulozit tek fëmijët, por ofron mbrojtje të ndryshueshme dhe të kufizuar për adoleshentët dhe të rriturit.
Dhe megjithëse tuberkulozi është i shërueshëm me një kombinim të antibiotikëve, trajtimi për tuberkulozin rezistent ndaj ilaçeve zgjat deri në dy vjet me shanse shumë më të ulëta për shërim.
Opsionet e reja të trajtimit janë bërë të disponueshme në dhjetë vitet e fundit për të ndihmuar në zvogëlimin e kohëzgjatjes së trajtimit, heqjen e barnave toksike nga regjimet dhe për të trajtuar valën në rritje të tuberkulozit rezistent ndaj shumë ilaçeve. Megjithatë, qasja në këto barna në shumë nga vendet më të prekura është ende sfiduese.
Shkalla e diagnozës është gjithashtu e ulët. Nga 10.6 milionë njerëz që vlerësohet të kenë zhvilluar tuberkuloz aktiv në vitin 2022, rreth 3 milionë ishin të padiagnostikuar ose të pareportuar.
Ndërkohë, tuberkulozi rezistent ndaj ilaçeve përbën një kërcënim të vazhdueshëm dhe vdekjeprurës për sigurinë shëndetësore globale. Vetëm në vitin 2022, mbi 400,000 raste ndodhën në mbarë botën, me diagnozën dhe trajtimin e tuberkulozit rezistent ndaj barnave, shumë larg objektivave globale.
Pra, pavarësisht se është shpallur një emergjencë globale e shëndetit publik 30 vjet më parë, bota ende përballet me prevalencë të lartë sëmundjesh, rritje të rezistencës ndaj ilaçeve dhe burime të pamjaftueshme për të kufizuar përhapjen e mëtejshme.
Ritmi i inovacionit të tuberkulozit nuk është përputhur me këtë nevojë, me interes të pamjaftueshëm politik dhe investime financiare që kontribuojnë në përparimin e ngadaltë të kërkimit dhe zhvillimit.
Më shumë kërkime mbi tuberkulozin mund të shpëtojnë miliona jetë
Zhvillimi i mjeteve të reja për të trajtuar këtë epidemi do të shpëtonte miliona jetë. Por së pari, duhet të transformohet kërkimi dhe zhvillimi për tuberkulozin.
Edhe pse financimi për kërkimin mbi vaksinat, trajtimet dhe mjetet e reja diagnostikuese të tuberkulozit është rritur ngadalë, ai ende bie shumë më poshtë se 5 miliardë dollarët e vlerësuar të nevojshëm çdo vit për të arritur objektivat globale për t'i dhënë fund TB deri në vitin 2030.
Financimi i sektorit privat ka qenë vazhdimisht i ulët, sepse tuberkulozi prek kryesisht vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përbërë mbi 80% të të gjitha rasteve.
Ndërsa qeveritë shpenzuan rreth 90 miliardë dollarë për kërkime për vaksinën Covid-19 në vitin e parë të pandemisë, totali i shpenzuar për zhvillimin e një vaksine të re kundër tuberkulozit është një pjesë e vogël e kësaj, vetëm 1.1 miliardë dollarë në 11 vitet e fundit.
Pas thuajse 50 vitesh inovacioni të kufizuar, dekada e fundit ka treguar potencialin për shpëtimin e jetës, nëse mund të sigurohet akses i barabartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.