Ekonomi

Besimi në ekonomi u rrit gjatë tetorit, ndërtimi dhe industria më pesimistët

Nga Gazeta ‘SI’ – Besimi në ekonomi u rrit gjatë muajit tetor, raporton Banka e Shqipërisë, ndikuar nga besimi në sektorin e shërbimeve, tregtisë dhe besimit konsumator. Ndërtimi dhe industria raportohen më pesimistë për të ardhmen financiare.

Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rënie me 2.5 pikë përqindje në muajin tetor, ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe në veçanti, për nivelin e porosive të reja. Pritjet për çmimet në të ardhmen ranë lehtësisht në krahasim me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim u tkurr me 3.3 pikë përqindje në tetor, ndikuar nga aktiviteti dhe pritjet për rënie të çmimeve.

Bizneset e sektorit të shërbimeve ishin më optimistët, me një rritje 4 p.p të besimit, ndikuar nga balancat pozitive dhe ng kërkesa në rritje. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Treguesi i besimit në tregti regjistroi rritje të lehtë me 0.1 p.p i ndikuar kryesisht nga vlerësime më të mira për ecurinë e biznesit aktual. Treguesi u ndikua në kahun rënës nga pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje nga bizneset e këtij sektori.

Treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje me 0.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke vijuar prirjen e lehtë rritëse të muajve të fundit. Megjithëse komponentët përbërës të treguesit dhanë kontribute me kahe të kundërta, agregimi i tyre peshoi nga kahu pozitiv. Ndërsa pritjet për situatën ekonomike dhe ato për blerjet në shuma të mëdha u zgjeruan në tetor, pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen regjistruan rënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë