Para

Projektbuxheti 2025 i dedikohet spitaleve, rrugëve dhe pagave të administratës

Nga Gazeta 'SI' - Buxheti i vitit 2025 do të kalojë vlerën e 822 miliardë lekëve, 4% më i madh se i vitit 2024 ose 51.4 mld lekë më shumë.

Sipas draftit të depozituar në Kuvend, qeveria parashikon të ardhura në nivelin e 754.6 miliardë lekëve, rreth 40 mld lekë më shumë se në 2024-n.

Pjesa më e madhe e parave të buxhetit do të shkojë për investime publike, për ritjen e pagës së administratës dhe për sigurimet shoqërore.

161.8 mld lekë ose 6.2% e PBB-së do të jetë portofoli i investimeve publike, ku 5 mld janë për programin e Rindërtimit dhe të gjitha projektet kontraktuale që janë në zhvillim. Nga një vit më parë ky fond është rritur me 11 mld lekë.

127.6 mld lekë ose 4.9% e PBB-së do të shkojë për rritjen e pagës së 86.038 punonjës në administratë, me rritje vjetore 40 mld lekë.

Për skemën e sigurimeve shoqërore, qeveria ka parashikuar 192.3 mld lekë ose 7.3% të PBB-së, por vetëm 1.6 mld lekë do të shkojnë për indeksimin e pensioneve dhe 3.75 mld për bonusin e fundvitit. 63 mld janë për skemën e kujdesit shëndetësor.

Për pushtetin vendor shpenzimet janë vendosur në rreth 90 mld lekë lekë, me rritje 13.2% nga 2024-a.

71.3 mld lekë do të shkojë për mbështetjen e fermerëve, programet e punësimit, skemat e zhvillimit ekonomik, arsimit, sportit etj.

Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë;  Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.7 miliardë lekë ose 0.9% e PBB-së. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.4 miliardë lekë ose 0.05% e PBB-së.  Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.25 miliardë lekë.

Përgjatë 2025-s qeveria parashikon një rritje ekonomike mesatare 3.9% ndikuar nga një kërkesë e brendshme në rritje, investimet në infrastrukturë dhe turizmi.

Konsumi final total për periudhën afatmesme (2025-2027) parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 2.8% , ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real me rreth 5.3 % në vitet 2025-2027.

 “Borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 për qind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8%në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 për qind në vitin 2031”, thuhet në relacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë