Shendet

Shqipëria nën rrezikun e epidemisë së fruthit, ekspertët: Po lëshohen kartela false të vaksinimit si në kohën e Covid-19

Nga Gazeta Si – Shqipëria rrezikon të preket nga epidemia e fruthit për shkak të mosvaksinimit të fëmijëve.

Ekspertët e shëndetit publik ngrenë alarmin se, fëmijët nën 2 vjeç nuk vaksinohen rregullisht me 2 dozat e vaksinës kundër fruthit, si pasojë e frikës së prindërve për sëmundjen e autizmit.

Burime konfidenciale thonë për Gazetasi.al se pas pandemisë u vërejt një fenomen që po përhapet tashmë, lëshimi i certifikatave false të vaksinimit për fruthin e rubeolën.

“Siç ndodhi me vaksinat anticovid ku një pjesë e popullatës nuk i bëri, përfshi dhe mjekët dhe u lëshuan certifikata false, kështu po ndodh dhe me fruthin e rubeolën ku në kartelën e vaksinimit shënohet që janë vaksinuar, e megjithatë prindërit kanë paguar nën dorë për të mos e kryer vaksinën tek fëmijët”, thonë burimet për Gazetasi.al.

Megjithëse Shqipëria është një vend që ka raportuar vatra infeksioni të fruthit, njëjtë me 18 vendet e rajonit, sërish ne kemi shifra mjaft të ulëta të vaksinimit tek fëmijët nën 2 vjeç që duhet të kryejnë vaksinën polivalente e ndarë në 2 doza.

Në gusht të vitit 2024, 18 vende të rajonit raportuan raste të reja me fruth, si Italia (53 raste), Rumania (532) etj ndërsa 9 vende raportuan 0 raste.

“Sipas buletinit të informacionit të Qendrës Evropiane për Parandalimin e kontrollin e sëmundjeve, ECDC, 13 vdekje nga fruthi u raportuan gjatë vitit 2023, ku Rumania shënoi numrin më të lartë të viktimave, 12 dhe 1 në Irlandë”, thotë doktor Ilir Alimehmeti për Gazetasi.al.

‘Është një problem që po kap gjithë Europën. Është virusi më i transmetueshëm që njeh historia mjekësore. Shumë raste shkojnë shumë mirë, por fatkeqësisht është një sëmundje që mund të çojë deri në humbje jete’, thotë Alimehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë