Shendet

Nga 2025, Britania do të ndalojë shitjen dhe përdorimin e cigareve ‘vape’

Shitja dhe përdorimi i cigareve të llojit ‘vape’ do të ndalohet në Britani nga qershori i vitit të ardhshëm, ka thënë qeveria.

Ministrat thonë se masa synon të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe mjedisin.

Ndalime të ngjashme pritet të vendosen nga qeveritë në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.

Edhe pse tashmë është e paligjshme të shesësh ndonjë ‘vape’ për të rinjtë nën moshën 18 vjeç, ka pasur shqetësime në rritje se cigaret e disponueshme, të cilat shiten në supermarkete dhe kanë shije të ndryshme, luajnë një rol të madh në shtimin e personave që i përdorin.

Ndalimi i cigareve ‘vape’ u njoftua për herë të parë në janar nga qeveria e mëparshme e drejtuar nga ish-kryeministri Rishi Sunak.

Megjithatë, ndalimi nuk u vu në veprim përpara zgjedhjeve të përgjithshme në korrik të këtij viti.

Mjekët në Mbretërinë e Bashkuar kanë kërkuar gjithashtu ndalimin e tyre kohët e fundit, me Shoqatën Mjekësore Britanike (BMA) që thotë se fëmijët janë objektiva të ngjyrave të ndezura dhe shijeve argëtuese.

Sipas NHS, këto cigare mund t’i çojnë fëmijët në një varësi të dëmshme dhe rreziqet afatgjata nuk dihen ende.

Në vendin tonë, socialistët kanë propozuar ashpërsimin e masave për tregun e cigareve në vend.

Deputetët Etilda Gjonaj dhe Erion Braçe kanë dërguar në Kuvend një amendament ku sugjerohet ndalimi i reklamimit të cigareve apo derivatëve si shisha, nargjile apo cigare elektronike në çdo lloj medie, audiovizive, të shkruar etj. Po ashtu, propozohet ndalimi i sponsorizimit të produkteve mediatike nga kompanitë e këtyre produkteve.

Reklamimi i këtyre produkteve në emisionet televizive, kryesisht të cigareve me avull, “vape” dhe atyre elektronike, nxiti shitjen masive të këtyre produkteve në vend edhe në pika të paautorizuara dhe për çdo grupmoshë, përfshirë fëmijët.

Dëshmi nga vetë të miturit dhe shitësit, tregojnë se si produktet narkotike, janë lehtësisht të aksesueshme për të gjitha grupmoshat, përfshirë ato të shkollave fillore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë