Politike

Emigrantët / Kurti kundër përsëritjes së marrëveshjes Rama-Meloni në Ballkan: Nuk është zgjidhje

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se përsëritja e marrëveshjes së migracionit Itali-Shqipëri nuk ishte “një zgjidhje” dhe do të sillte shqetësime për të drejtat e njeriut, në një intervistë për Euractiv.

"Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri do të ndërtoheshin edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të garantojmë se të drejtat e të burgosurve respektohen?”, pyeti Kurti, duke nënvizuar se këto qendra do të rëndonin “në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit por edhe të Bashkimit Evropian”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu së fundmi mbështetjen e saj për “idenë e zhvillimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së”, duke përmendur marrëveshjen midis Italisë dhe Shqipërisë si një shembull për të “mësuar nga kjo përvojë”.

Një gjykatë italiane urdhëroi të premten që 12 emigrantët e dërguar në Shqipëri sipas marrëveshjes të riatdhesoheshin në Itali.

“Pranimi i përkohshëm i refugjatëve nëse e kërkon urgjenca është, natyrisht, gjithmonë i mundur”, ka deklaruar Kurti, megjithatë ai hodhi poshtë me vendosmëri idenë e riprodhimit të modelit italian.

“Po flasim për qenie njerëzore që kanë nevojë për kujdes,” theksoi ai.

Më 15 gusht 2021, Kosova, ashtu si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pritën disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane, duke i strehuar në bazat e NATO-s përpara se të transferoheshin në vende të ndryshme perëndimore.

Komisioni Evropian përsëriti se masat e miratuara nga Italia në kuadër të Protokollit me Shqipërinë për migracionin “duhet të jenë plotësisht në përputhje me ligjin komunitar dhe nuk duhet ta dobësojnë atë”.

Marrë nga Euroactive/ Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë