Nga Gazeta 'Si'- Si mazhoranca ashtu edhe opozita do të mbledhin sot Kryesitë në orën 18:00.
Rama po e mbledh Kryesinë një ditë pas arrestimit të ish-deputetit të qarkut të Durrësit, Jurgis Çyrbja.
Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet një orë pasi shefi i qeverisë të ketë mbyllur një takim me kandidatët që kanë aplikuar në platformën “Deputeti që Duam”.
Mbledhja do të ketë në fokus organizimin e punës në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Socialistët e kanë hapur platformën ‘Deputeti që Duam’ prej fundit të muajit korrik dhe kanë ftuar të aplikojnë profesionistët e çdo fushe që janë të bindur se mund të japin më shumë ekspertizë për ligjshmërinë, ekonominë, financat, bujqësinë, mjekësinë, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe të japin kontributin e tyre për Shqipërinë 2030.
Edhe Partia Demokratike do të mbledhë pasditen e sotme në orën 18:00 Kryesinë e partisë për hapat e mëtejshme të mosbindjes civile.
Kjo mbledhje vjen pas protestës së 7 tetorit, në të cilën opozita nisi mosbindjen civile. Në fokus të takimit, ku pritet edhe një fjalë e kreut të kësaj force politike, Sali Berisha do të jetë marrja e vendimeve për vijimin e aksionit opozitar.
Takimi i të hënës me anëtarët e Kryesisë vjen vetëm pak ditë para protestës së paralajmëruar nga deputetët demokratë në 23 Tetor para Parlamentit Europian në Strasburg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.