Ka ndodhur

Ishte në kërkim për skandalin e mikrokredive, arrestohet përmbaruesi gjyqësor në Tiranë

Gazeta Si - Një 43-vjeçar, Alban Kote, i cili ka qenë ka qenë përmbarues gjyqësor, është arrestuar në Tiranë, pasi emri i tij rezulton në dosjen e skandalit të mikrokredive. Ndaj tij, gjykata kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” pas shpalljes në kërkim.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ekzekutuan vendimin penal për shtetasin Alban Kote, 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, njoftoi policia.

Kote ishte në kërkim për dosjen e mikrokredive, ku më herët u vunë në hetim 8 persona të tjerë. Ata kishin blerë kredi të këqija nga një bankë e nivelit të dytë dhe detyronin qytetarët që për t’i shlyer duhet të merrnin kredi të dyta ose të treta.

Në rast se nuk i shlyenin, ata i bllokonin qytetarëve llogaritë bankare, vlera e të cilave arrinte deri në 500 fish të vlerës së kredisë që kishin marrë.

Nga një hetim i prokurorisë u zbulua se si disa shoqëri të mikrokredisë dhe përmbaruesit e tyre përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë