Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pas arrestimit të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe zbulimit të akuzave nga SPAK, ku ndër të tjera thuhet se kërkoi ndihmën e krimit për t’u bërë deputet.
Bardhi shkruan se sipas tij, aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat.
“Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki.
Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje”, dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!
Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to”, shkroi ai ndërsa shtoi gjithashtu se sipas tij, kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar!
“Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër”, shkroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.