Shendet

Botox kontrabandë në Shqipëri – Mungesë kontrolli në aplikimin dhe cilësinë e produktit

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria, vitet e fundit, po përjeton rritje të përdorimit në masë të produkteve të industrisë kozmetike, ku Botox dhe filler-at (mbushësit) janë më të kërkuarit në treg.

Me gjithë alarmin e ngritur në media shpesh herë për aplikimin pa kriter nga persona të paautorizuar, problematika nuk ka marrë asnjë zgjidhje.

S.D, e diplomuar për Mjekësi të Përgjithshme e cila prej vitesh aplikon Botox në  klinikën e saj, thotë se në vendin tonë mungojnë autoritetet që licencojnë personat që dëshirojnë të merren me ndërhyrjet estetike.

"Botox është një produkt që ka dy lloj praktikash përdorimi: mjekësor (në rastet e problemeve shëndetësore si migrena, encefalite, distrofitë) dhe estetik.

Rekomandohet të kryhet vetëm nga mjekë, të përgjithshëm ose dermatologë të cilët duhet të kenë certifikatë. Në mungesë të marrjes së tij në Shqipëri, unë kam zgjedhur të kryej kurse jashtë vendit (Itali) dhe të marr certifikatë nga profesorë të njohur në këtë fushë", thotë për Gazetasi.al mjekja estetiste S.D.

Abuzimi me kurset për aplikimin e Botox

Në kushtet e mungesës së kontrolleve nga institucionet përgjegjëse në klinikat private apo sallonet estetike ku kryhet rëndom Botox e fillerat, në Shqipëri, kanë filluar të ofrohen kurse private për përdorimin e botox nga persona të cilët kanë një formim mjekësor.

Burime konfidenciale i thanë Gazetasi.al se këto kurse ofrohen kundrejt shumës 500 euro dhe mjafton njohja me drejtuesen e klinikës private që ofron këto kurse, të përfitosh nga njohuritë që të sjellin përfitime të mëdha.

"Unë kam kryer kurse jashtë shtetit, por unë kam informacion se këtu ka shumë vajza që janë të punësuara në klinika private dhe që mësojnë të kryejnë Botox në kurse private që organizohen nga një kirurge e njohur në Tiranë", -vijon mjekja S.D.

Produktet e botox "pa doganë",  Korea e India sundojnë tregun

Nuk mjafton fakti që në Shqipëri mjekët nuk çertifikohen për të kryer shërbime kozmetike, por produktet në treg kanë origjina të ndryshme.

Burime konfidenciale i thanë Gazetasi.al se, përveç riskut të kryerjes së Botox nga persona të pakualifikuar, një rrezik që mund të shkaktojë reaksione vdekjeprurëse për personin që e aplikon, është cilësia e produktit", thonë ekspertët e shëndetit publik.

Një prej rasteve është enjtja e fytyrës nga Botox, si pasojë e prekjes nga shpimet në zona delicate të fytyrës, apo rrisku nga paraliza faciale, cka e bën situatën edhe më alarmante ng ç'duket.

E megjithatë, autoritetet përgjegjëse duken inekzistente duke lejuar që tregu i kozmetikës të gëlojë nga paligjshmëria dhe nga abuzimi duke u pasuruar në kurriz të pacientit.

Një dozë Botox për reduktimin e rudhave të mimikës së fytyrës kushton 150 euro, e po ashtu aplikimi për një dozë filler. Nëse përdoret për pjesë të ndryshme të fytyrës si mollëzat, apo buzët, çmimi dyfishohet.

Mungesa e një baze ligjore për industrinë kozmetike që po njeh vrull kudo në botë, po e shndërron vendin tonë njëjtë me vende si Brazili ku aplikimi i filler-ave dhe Botox kryhet në ambient shtëpie apo dyqani, mjafton të kesh para ta paguash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë