Ka ndodhur

U dhunua me grushte pranë dyqanit të tij, humb jetën pas 5 ditësh në spital 80-vjeçari në Fier

Gazeta Si - Ka ndërruar jetë pas 5 ditësh i shtruar në spital 80-vjeçari Namik Rustemi, i cili u dhunua së bashku me bashkëshorten e tij nga një 47-vjeçar në ambientet e jashtme të dyqanit të tij.

I moshuari ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore (i intubuar) në spitalin e Fierit, ku këtë të premte ka ndërruar jetë.

Ngjarja ndodhi në fshatin Povelçë, ku autori Ilir Nukaj, ka goditur me grushte në pjesën e kokës, 80-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, A.R., 77 vjeçe, me pretendimin se nuk i kishte dhënë birra. Policia e arrestoi Nukajn menjëherë pas krimit dhe ai ndodhet në paraburgim.

Bashkëshortja A.Rustemi pas mjekimit u kthye në banesë. Ajo i rrëfeu policisë dinamikën e krimit dhe se kush ishte agresori.

Prokuroria po e heton Nukajn me veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” dhe gjykata ka dhënë masën “arrest me burg”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda e arrestuan të dyshuarin 47-vjeçar, që në momentin e sulmit dyshohet se ka qenë në gjendje tejet të dehur.

Ai ka kërkuar birra në dyqan, por të moshuarit refuzuan pikërisht për shkak të gjendjes së alkoolizuar. Nukaj, që mbante edhe emrin Ledjan, nuk e ka pritur mirë, duke i rrahur barbarisht të dy.

Ai njihej si person problematik në zonë, teksa banorët dhe nusja e të moshuarve rrëfyen pas ngjarjes dinamikën dhe tronditjen e pësuar nga kjo ngjarje.

Nukaj ka qenë i dënuar me 10 vite burg për një tentativë vrasjeje të ndodhur 12 vite më parë në këtë zonë, teksa plagosi rëndë me thikë një pronar lokali, të cilin e kishte vjedhur më parë dhe i dëmtuari e kishte denoncuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë