Ngjarje

Qëndrestarët para Kryeministrisë, si e kaluan natën e acartë

Kanë qëndruar përpara Kryeministrisë deri sa është gdhirë dita e sotme. Pesë stoikët e protestës nuk janë stepur përballë ftohtit të mbrëmshëm. Për Gazetën SI ata shprehën se pavarësisht të ftohtit ata janë ndjerë “komod” për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë qytetarët e shumtë. Një foni, një flamur kombëtar i madh, i varur mes dy bokse është skena e improvizuar e këtyre protestuesve, që e nisin ditën e re, duke kënduar himnin kombëtare. Në sfond vendosen këngë patriotike, apo dhe thirrjet “Ejani, mblidhuni këtu, këtu!”.


Olger’t Rakipllari, student i Arteve Pamore dhe Komunikim Dizanjer na rrëfen se deri në orët e vona të natës ishin rreth 50 protestues. Pavarësisht motit të ftohtë, disa prej tyre qëndruan deri në fund, duke u bërë kështu simbol i një qëndrese për studentët. Rakipllari rrëfen se nata përpara kryeministrisë u përballua falë përkrahjes të madhe të qytetarëve të shumtë, të cilët kanë sjellë batanije për t’u ngrohur, si dhe ushqime. Ndërsa ai shprehet kundër negociatave me Kryeministrin Edi Rama, pasi e sheh si zgjidhje të vetme plotësimin e kërkesave të paraqitur nga studentët.


Ju keni qëndruar mbrëmë gjithë natën. Si ju shkoi, çfarë situate keni përjetuar?
Në fakt vendimi për të kaluar natën këtu u mor si të thuash në momentet e fundit, duke qenë se neve vazhduan gati për 12-13 orë në protestë te Ministria, më pas u mor vendimi për të qëndruar te Kryeministria. Ishim të përgatitur që ta përballonim për shkak të temperaturave ulëta që shkuan nën zero. Ishte shumë ftohtë, por ishte shumë e mrekullueshme në aspektin e një solidariteti të jashtëzakonshëm të qytetarëve të Tiranës. Pas thirrjeve që u bë në media, ka qenë një sensibilizim që unë as nuk e kisha parë dhe nuk e kisha përjetuar ndonjëherë në jetën time. Na kanë sjellë gjithçka që kishim nevojë, ujë, ngrohëse, batanije, ushqime pa fund, çaj, gjithçka. Gjithashtu edhe thirrjes që ne bëmë për libra na u bashkuan të gjithë. Jemi shumë të lumtur që kemi një përkrahje kaq të madhe qytetare dhe që po e mbështesin këtë. Sigurisht disa nga bashkë protestuesit tanë patën disa komplikacione për shkak të temperaturave të ulëta, por që i përballuam me sukses, ia dolëm.


Olger’t Rakipllari, para Kryeministrisë


Sa ishte numri i persona që qëndruan deri në mëngjes me ju përpara Kryeministrisë?
Deri nga ora 02:00 ishin gati 50 protestues, një herë vinin më pak, herë rrinin më pak, herë shtoheshin që vinin pas sensibilizimin që bëhej. Ishte për një kohë shumë të gjatë protesta dhe nuk ishte planifikuar më përpara se do të qëndronim përpara Kryeministrisë, por ajo që ishte shumë interesante se ne shpeshherë plotësonin njëri-tjetrin. Nga sheshi përpara ministrisë së Arsimit dhe përpara Kryeministrisë bënin shkëmbime, shkonin 10-15 veta nga Kryeministria te Arsimi dhe anasjelltas, kur plotësonim kërkesat tona, kur nuk kishim ujë, apo ushqim, apo ngrohje, ose i çonim ose na dërgonin ushqime dhe ujë.

A patët ndonjë presion gjatë natës, si u soll policia me ju?
Në fakt kur je me njerëz të “panjohur” duke protestuar ekziston frika se mos të ndodhë ndonjë gjë, por mendoj se nuk pati probleme. Edhe nga policia nuk pati ndonjë problem, mund të them se ata u sollën mirë me ne, nuk na kanë ngacmuar.


Pas skadimit të këtij ultimatumi, si mund të vazhdojë protesta më tej. A ka përçarje mes studentëve?
Jo, aspak, nuk ka përçarje. Kjo ishte ajo që ne donim të përshkallëzonim protestën dhe ne e arritëm atë, duke bllokuar dy arterie kryesore të Tiranës, rrugën e Durrësi dhe bulevardin përpara Kryeministrisë, kështu që misioni është arritur, ultimatumi është bërë. Sigurisht që do të ketë edhe përshkallëzime të tjera, por ende nuk janë marrë si vendime, sepse ne ato i marrim në formë kolegjiale dhe kur gjithë protesta është në kulmin e pjesëmarrjes më masive të studentëve.

Ushqimet që i kanë sjellë qytetarët si dhe batanijet


A jeni për dialog me Kryeministrin, ai përherë po ju kërkon që të negocioni për 8 pikat?
Kategorikisht jo, s’ka pse. Dialogun që kërkoi mbrëmë e mori, publiku e pa për atë dialog super të shtirur që pati. Ai kishte premtuar që pas dialogut do të zgjidhte gjithçka, duke miratuar kërkesat tona. Atëherë meqë dialogun e kreu, tani le të na sjellë pikat e miratuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë