Shendet

Blihen në AliExpress, Wish, Shein… / Lodrat që shiten në BE, por prodhohen jashtë saj, janë të rrezikshme

Shumë lodra pa marka të bëra jashtë Evropës, por të shitura brenda BE-së, përfshirë edhe në Shqipëri nga shitës me pakicë në internet, janë të rrezikshme për fëmijët, tregon një studim i ri.

Toy Industries of Europe (TIE) tha të enjten se rezultatet përfundimtare treguan se 80 për qind e lodrave të testuara nuk plotësonin standardet e sigurisë të BE-së, pasi blenë më shumë se 100 produkte në 10 platforma online: AliExpress të Kinës, Temu dhe Shein, Light In të Singaporit. The Box, Amazon dhe Wish i SHBA-së, Cdiscount i Francës, Fruugo i Mbretërisë së Bashkuar, Bol i Holandës dhe Allegro i Polonisë.

Vetë platformat nuk janë përgjegjëse për mallrat e shitura nga shitës të palëve të treta, të cilat shpesh dërgohen drejtpërdrejt nga Kina. TIE ndërkohë kërkon që ky boshllëk të mbyllet nga Komisioni Evropian dhe që ai të ndalojë produktet e rrezikshme që shiten.

Catherine Van Reeth, drejtoresha e përgjithshme e TIE, tha se për sa kohë që tregjeve në internet nuk u jepet asnjë përgjegjësi ligjore, lodrat e pasigurta do të vazhdojnë të vërshojnë nga shitësit që shpërfillin rregullat e BE-së.

“Është koha për të mbyllur këtë boshllëk dhe për t'u siguruar që dikush është gjithmonë përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve. Është e padrejtë për prodhuesit evropianë që duhet të respektojnë standardet më të ashpra në botë ndërkohë që prodhuesit jashtë Europës bëjnë kërdinë”, tha ajo.

Ndër produktet e testuara ishin enë me slime me nivele të boronit më shumë se 13 herë mbi kufirin ligjor. Standardet e BE-së kërkojnë që niveli i boronit të jetë 300 miligramë për një kilogram lodra plastike të buta.

Studimet shëndetësore kanë treguar se ekspozimi ndaj një niveli të lartë boroni mund të shkaktojë alergji, diarre dhe të vjella.

Një tabelë elektronike e vizatimit, e cila kushtonte 93 cent në AliExpress, kishte një bateri të vogël që binte lehtë dhe mund të gëlltitej lehtësisht, duke shkaktuar lëndime të rënda ose vdekje nëse nuk hiqet në kohë.

Shumë prodhues lodrash, veçanërisht në Kinë, shesin mallra drejtpërdrejt te klientët, duke përfituar nga tarifat e ulëta të postës për ngarkesat ajrore. Me qindra miliona pako që mbërrijnë çdo muaj, oficerët e doganave mund të kontrollojnë vetëm një pjesë të vogël.

Ajo tha se rregullat e reja të BE-së që synojnë platformat online ende dështojnë, sepse ato nuk imponojnë përgjegjësi për atë që shisnin.

Procedurat doganore mund të shtrëngohen, por kjo do të përfshinte punësimin e dhjetëra mijëra oficerëve për të kontrolluar kontejnerët.

Brukseli hartoi një plan në fillim të këtij viti për të shtrënguar rregullat mbi tregtinë elektronike, por publikimi i tij u vonua pasi zyrtarët vendosën se ai nuk ishte mjaftueshëm gjithëpërfshirës.

Në dhjetor hyn në fuqi Rregullorja e Përgjithshme e Sigurisë së Produkteve të BE-së (GPSR), e cila detyron shitësit të japin detaje të tilla si emri i prodhuesit, marka, adresa postare dhe e-mail, dhe të caktojnë një person përgjegjës për produktin brenda bllokut. Por TIE thotë se ende nuk i ka bërë platformat online përgjegjëse ligjore për atë që shesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë