Qindra e mijëra studentë vijojnë të protestojnë për të 8-ën ditë me radhë për kauzën e tyre. Një grup studentësh janë vendosur para Ministrisë së Arsimit dhe një grup tjetër para godinës së qeverisë. Këtë të mërkurë studentët kanë thirrur një protestë të heshtur. Para Ministrisë së Arsimit studentët kanë mbajtur nëpër duar vetëm fletë të bardha dhe libra.
Një pjesë e studentëve që ndodhen para godinës së Ministrisë kanë qenë kundër zhvendosjes te Kryeministria, pasi dyshojnë se atje janë militantët e partisë.
“Ne e kemi me arsimin dhe arsimi është këtu ku jemi ne”, shprehet një prej studentëve.
Por, pavarësisht se ndodhen para dy institucioneve të ndryshme, kauza e tyre vijon të mbetet e përbashkët si dhe rezistenca.
Në orët e para të siç konfirmoi gazeta “Si”, studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Filologjikut fillimisht kanë qenë në dilemë për destinacionin e tyre, mes Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.
Në këtë protestë masive është vënë re dhe pjesëmarrja e gjimnazistëve, pasi në thelb kauza është e përbashkët. Por, sot gjimnazistët e “Asim Vokshit” nuk janë lejuar që t’i bashkohen protestës.
Po, ashtu vihet re mungesa e policëve që shoqërojnë studentët.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë në orët e para të mëngjesit janë vënë re disa studentë, të cilët të jepnin përshtypjen e një qëndrese të vogël para një godinës së qeverisë.
Ata ishin ndër të shumtët studentë që e kishin gdhirë aty, ndërsa të tjerët ishin larguar në orët e vona të natës. Temperaturat e ulëta në kryeqytet kanë bërë që studentët të ndezin edhe një zjarr, sikurse kanë bërë edhe një grup më i vogël te “Zogu i Zi” darkën vonë.
Por, veç studentëve që janë mbledhur në kryeqytet, studentët kanë protestuar edhe nëpër rrethe.
Në Korçë studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë, kanë nisur marshimin në bulevardin “Republika”, gjithnjë në kërkim të plotësimit të kërkesave të tyre.
Po ashtu në Shkodër, studentët kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit duke u bërë thirrje edhe gjimnazistëve.
Ndërsa, nga Elbasani fillimisht kanë nisur marshimin në bulevardin kryesor të qytetit dhe më pas kanë bllokuar rrugën nacionale drejt Tiranës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Protesta vijon edhe në Vlorë, aty ku studentët janë mbledhur para ambienteve të universitetit, duke treguar vendosmëri deri në plotësim të kërkesave.
Ditën e djeshme në orën 16:00 përfundoi dhe ultimatumi i vendosur nga studentët për plotësimin e kërkesave nga qeveria. Studentët për ditë radhazi janë shprehur të vendosur se nuk do të ndalen derisa të plotësohen kërkesat e tyre, ndërkohë asgjë nuk dihet se si do të përvijojë kjo protestë. Protestën po e vijojnë edhe studentët ne rrethe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









