Ekonomi

Shqipëria humb 15 mijë euro për çdo të ri që emigron. Kosto vjetore deri në 1 mld

Nga Gazeta 'SI' - Një studim i fundit i Fondacionit Westminster tregon se Shqipëria humb deri në 1 mld euro në vit nga emigracioni i të rinjve.

Studimi gjen se për çdo person të ikur, ekonomia e vendit humb 15 mijë euro.

Studimi merr në konsideratë daljen e 41.700 personave, nga të cilët 37.540 ishin në moshë pune. Duke llogaritur se ata arritën qëllimin e tyre dhe u punësuan direkte në vendin pritës, humbja e vlerës bruto të shtuar arrin në 456 mln euro, me efekt direkt negativ në PBB.

Pas shtimit të pamundësisë për të parandaluar emigracionin vjetor përmes punësimit, vlera e shtuar vjetore bruto e humbur ishte 559 milionë euro.

Kanali tjetër i dëmit konsiderohen investimet e humbura në arsim. Arsimi i një shqiptari që ka përfunduar studimet në vitin 2018, në varësi të kryerjes së nivelit arsimor, kushton rreth 6.000 euro për shkollën fillore, 9.300 euro për shkollën e mesme dhe rreth 18.300 euro për studimet e përfunduara akademike. Kostoja mesatare e përfunduar studimet pasuniversitare (PhD) në Shqipëri ishin rreth 32.000 euro. Kostot totale të arsimit të personave që largohen nga Shqipëria brenda një viti variojnë nga 201 milionë euro në 504 milionë euro.

Nga ana tjetër, përfitimi më i rëndësishëm i emigracionit janë remitancat. Shqipëria është një nga vendet kryesore në Europë, me një peshë prej 7% në PBB. Nëse shtohen burime të tjera që vijnë nga jashtë (transfertat sociale dhe të ardhurat nga puna e banorëve shqiptarë jashtë), kontributi në PBB arrin në 10%.

“Megjithatë, pavarësisht peshës së tyre të konsiderueshme në PBB, remitancat nuk ndikojnë mjaftueshëm në rritjen e përgjithshme ekonomike dhe nuk janë gjenerues i zhvillimit të ardhshëm pasi komponenti i investimeve nuk është mjaft i fortë. Konkretisht, remitancat përdoren për konsum personal në familje, ndërsa vetëm një sasi e vogël përdoret për investime biznesi”, thotë raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë