Ka ndodhur

Me armë dhe tritol në makinë, arrestohen në Greqi çifti shqiptar, 39-vjeçari ka qenë i dënuar për drogë

Gazeta Si - Një çift shqiptar u arrestua me armë dhe tritol në makinë në kryeqytetin grek Athinë.

Sipas mediave greke, burri është Armiol Rrasa nga fshati Gradishtë i Divjakës, ndërsa shqiptarja që ishte me të në makinë, quhet Daniela Luari, 33 vjeçe.

Në automjetin me të cilin udhëtonin, u gjet një armë zjarri pistolete TT dhe një sasi lënde eksplozive tritol me dy ndezës.

Armiol Rrasa është person me precedentë penalë në Shqipëri dhe në Greqi. Në Greqi është dënuar me burg për trafik droge në vitin 2008 dhe është liruar në vitin 2015.

Bashkë me të sot është arrestuar edhe partnerja e tij shqiptare, 33-vjeçare Daniela Luari, e cila rezulton pa precedentë penal në Greqi. Ajo rezulton e ndaluar vetëm një herë për mungesë të lejes për shërbim.

Sipas mediave greke, policia beson se shqiptari është pjesë e një bande në Athinë dhe eksplozivi do të vendosej në një makinë apo dyqan.

Nga marrja në pyetje, 39-vjeçari ka mbajtur qëndrim mohues para hetuesve dhe nuk ka treguar se ku i ka gjetur eksplozivët dhe detonatorët. Policia dyshon se lënda plasëse mund të jetë trafikuar edhe nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë