Ka ndodhur

‘Shtëpi bari’ në mes të Tiranës, zbulohet kanabis në ish-magazinën shtetërore

Gazeta Si - Një ambient në të cilin kultivoheshin bimë narkotike është zbuluar në zonën e Selitës në Tiranë.

Bëhet fjalë për një ish-magazinë shtetërore ku brenda saj ishin instaluar llamba dhe pajisje të tjera për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas njoftimit, policia e Tiranës thotë se kjo magazinë ishte privatizuar nga tre persona, ndërsa janë shoqëruar disa shtetas.

Magazina ku kultivohej kanabis në Tiranë

Ndërkohë thuhet se shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

"Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave, - njofton policia. - Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa".

Aktiviteti kriminal ushtrohej në katin e dytë të magazinës, ndërsa sipas burimeve paraprake, kati i parë i objektit është në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Dyshohet se magazina përdorej prej një kohe të gjatë për kultivim drogën, ndërsa në hetime është përfshirë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të evidentuar nëse efektivët e Komisariatit nr.2 kanë qenë në dijeni të aktivitetit kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë