Gazeta Si - Deputeti i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja ka dorëzuar këtë të enjte mandatin e deputetit. Teksa nuk dihen ende arsyet pas këtij vendimi, dorëzimi i mandatit vjen dy ditë pasi Çyrbja u paraqit në SPAK, ku qëndroi rreth 5 orë.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ai tha se ishte marrë në pyetje “në cilësinë e personit që kam dijeni, nuk kam koment për çështjen”.
Ende nuk dihet se për çfarë u thirr në SPAK, por kujtojmë se ndaj tij ka pasur shpesh akuza nga ana e Partisë Demokratike kur drejtonte Hipotekën e Durrësit.
Në një deklaratë për mediat, Çyrbja thotë se nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore, por ka nevojë të kujdeset për shëndetin.
“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, thotë ai.
Më datë 8 tetor, Çyrbja u pyet për 5 orë në SPAK për një kallëzim të Partisë Demokratike. Burime jo zyrtare, thanë se i PS u pyet për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e vitit 2021, ku e akuzon për shpërdorim detyre, në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, pa e marrë ende mandatin e ligjvënësit.
Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, kallëzoi në SPAK Çyrbjen për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.
Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet i Partisë Socialiste. Ai u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e PS në vitin 2017. Ndërkohë, në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës me 6583 vota.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.