Futboll

Çmimi fatkeq i suksesit po rrezikon seriozisht shëndetin e futbollistëve

Nga Gazeta- Çfarë po ndodh me futbollin sot? Nga një lojë, nga një sport që të bën mirë për shëndetin, u kthye në biznesin e shoqatave, FIFA dhe UEFA, në një makineri lekësh, ku gjëja më pak që u intereson janë lojtarët dhe shëndeti i tyre.

Brenda një periudhe të shkurtër dolën në pah dëmtime të lojtarëve të rëndësishëm që luajnë me klube të mëdha dhe si rrjedhojë janë ata që i shkojnë çdo aktiviteti në fund duke luajtur më tepër ndeshje.

Emrat e fundit që mbyllën vitin kalendarik që në shtator dhe tetor, janë: Rodrid, Ter Shtegen, Gleison Bremer, Duvan Zapata, Vinicius Junior dhe Dani Carvahal. Dëmtime të rënda që sigurisht vijnë nga ngarkesat e mëdha të sezoneve futbollistike që janë shndërruar në maratona pafund.

Mes kampionateve, shtohet edhe formati i ri i Kupave të Europës me më shumë ndeshje dhe formatet e reja të shtuara si Liga e Kombeve, që po i shtyjnë lojtarët drejt një ritmi masakrues dhe që po komprometon seriozisht shëndetin e tyre. Brenda një viti dëmtimet muskulare janë rritur me 20%, duke nxjerrë në pah një mbingarkesë fizike të pa rikuperueshme.

Sigurisht që ky kalendar i gjatë pa pushime është krijuar në sajë të interesave ekonomike të FIFA-s dhe UEFA-s, të drejtave televizive dhe sponsorëve, duke mos lejuar rikuperimin e nevojshëm të protagonistëve. Sikur të mos mjaftojë kjo, Qeveria Botërore Futbollit, ka vendosur të shtojë edhe një aktivitetet si Botërori i Klubeve në 2025-n.

Ndërkohë, që Shoqatat e Futbollistëve kërkojnë gjithmonë e më tepër që ndryshimet dhe projektet e reja duhet të jenë të kujdesshme për të mbrojtur yjet e futbollit modern.

Një raport nga sindikata ndërkombëtare e lojtarëve, Fifpro, zbuloi se vitin e kaluar Jude Bellingham kishte luajtur më shumë se 30% më shumë minuta futboll konkurrues deri në ditëlindjen e tij të 20-të, sesa Ëayne Rooney në të njëjtën moshë. Në kohën kur Kylian Mbappé mbushi 24 vjeç, ai kishte luajtur 26.952 minuta, 48% më shumë minuta se Thierry Henry në të njëjtën moshë.

Pak kohë më parë se të dëmtohej fundjavën e shkuar në ligamentin e kryqëzuar, Rodri pat deklaruar: “Është e pamundur të jesh në kapacitet të plotë me 72 ndeshje apo më tepër. Mendoj se organet përkatëse duhet ta analizojnë këtë sepse është praktikisht e pamundur. Cilësia e lojës bie dhe ne vuajmë bashkë me familjet tona”.

Ai tashmë do të mungojë disa muaj, ashtu si edhe kolegët e tij të lartëpërmendur për këto tërheqje nga loja për shkak të dëmtimeve të pësuara.

Megjithatë ka edhe pretendime, kryesisht nga organizatat që zhvillojnë kampionate dhe kupa, që mendojnë ndryshe. Sipas tyre, lojtarët në mënyrë rutinore luanin më shumë lojëra në të kaluarën, në ato vite nuk kishte rotacione me kaq shumë zëvendësime si tani. Deri në vitet ’60 nuk ka patur fare zëvendësime, një zëvendësim u shtua vetëm për të ndërruar një lojtarë të dëmtuar rendë. Numri i zëvendësimeve u rrit në dy në fund të viteve '80, u shtua në 3 në mesin e viteve '90 dhe tani 5 zëvendësime.

Liverpool fitoi ligën dhe arriti në finalen e Kupës Evropiane në 1966, pavarësisht se përdori vetëm 14 lojtarë në të gjithë sezonin. Vërtetë ndeshjet në Europë ishin më pak se Liga aktuale e Kampionëve, por nuk shumë për të kuptuar se ata 14 lojtarë kishin luajtur më shumë minuta në këmbët e tyre se lojtarët aktualë.

Por dallimi është se:

a) loja është shumë më e shpejtë tani. Lojtarët janë më të përgatitur në krahasim me kohët e vjetra. Megjithatë, sa më e shpejtë të jetë loja, aq më e lartë është shpejtësia e goditjes, duke rritur mundësinë e lëndimeve dhe sa më i ngarkuar fizikisht të jetë njeriu, nëse e krahasojmë me motorët e makinave, sa më në regjime të larta punon, aty është edhe mundësia e defektit nga sforcimi. Mendoni makinat F1 krahasuar me një makinë të garave Rally.

Ndërkohë një tjetër argument…

b) përparimet në trajtimin dhe zbulimin mjekësor nënkuptojnë se janë zbuluar lëndime tani që nuk ishin më parë dhe lojtarët do të kishin luajtur me gërvishtje dhe tendosje derisa të kishin rënë në fushë, ndërsa tani tërhiqen shumë më shpejt.

Një tjetër problematikë që lidhet me dëmtimet janë fushat dhe tipologjitë e ndryshme që përdoren sot në të gjithë botën të përshtatura nga kushtet klimaterike të shteteve. Shumë fusha tani janë një përzierje e barit natyral dhe atij sintetik, këto kanë më pak “amortizim” se të gjitha fushat me bar natyral dhe impaktet dhe goditjet kalojnë menjëherë tek kyçet dhe tek muskujt, duke i dhënë një ngarkesë më të madhe.

Lojtarët luanin shumë lojëra në kohët e vjetra, dhe pothuajse nuk kishte ndonjë zëvendësim apo lojtar me rotacion. Një shembull ekstrem është ai i Phil Neal, lojtarit të Liverpoolit që humbi vetëm 1 ndeshje lige në 10 vjet duke zhvilluar në total 419 ndeshje, duke mos përllogaritur 188 ndeshje të tjera të kupës gjatë së njëjtës periudhë. Dikur futbollistët edhe nëse do të kishin një lëndim, nëse mund të luanin fizikisht, në përgjithësi do të luanin, sot jo më!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë