Ka ndodhur

Pas përmbytjeve, normalizohet situata në akset kryesore të Vlorës. Ministri i Mbrojtjes: Prioritet çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve!

Pas reshjeve intensive të shiut është normalizuar situata në akset rrugore të qytetit të Vlorës. Aktualisht të gjitha rrugët janë të kalueshme pa probleme. Ndërkohë, në zonat në brendësi të lagjeve, po punohet intensivisht për largimin e ujit.

Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka folur për mediat pas mbledhjes me shtabin e Emergjencave Civile, duke nënvizuar se gjatë ditës në terren kanë qenë 250 forca civile dhe ushtarake, në të gjitha zonat e prekura. Sipas tij, janë evidentuar 62 pallate, ku katet e nëndheshme dhe garazhet janë nën ujë.

Ministri tha se çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve është prioritet, pasi në të kundërt nuk mund të kthehen në normalitet pjesë të tjera të qyteti.

Ndër të tjera, Vengu theksoi se do të bëhet vlerësimi i dëmeve për banorët e prekur dhe do të dëmshpërblehen.

“Do bëjmë të munduar dhe evidentimin e dëmeve, t'u qëndrojmë pranë qyqarëve dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare qoftë të Bashkisë apo të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, për të dëmshpërblyer banorët për dëmet që janë shkaktuar”, tha ai.

“Jemi në një situatë që po bëjmë të munduar dhe evidentimin e dëmeve, t’u qëndrojmë pranë qytetarëve dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare qoftë të Bashkisë apo të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, për të dëmshpërblyer banorët për dëmet që janë shkaktuar. Ndërhyja ka qenë e shpejtë, ka qenë një fashë orare ku vërshimi ka qenë i madh dhe vështirë për t’u menaxhuar dhe aksesi ka qenë i vështirë.
Të gjitha akset tani janë të kalueshme. Çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve është tani prioriteti. Pa çliruar këto, nuk do mund të ç ‘tensionojmë situatën në një pjesë të mirë të qytetit. Do ecim hap pas hapi”, u shpreh Vengu.

Edhe nënkryetari i Kuvendit dhe drejtuesi politik i socialistëve, Bledi Çuçi, ishte në Vlorë për të parë nga afër situatën emergjente të krijuar pas reshjeve intensive të shiut. Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu dhe kryebashkiakun Ermal Dredha, u ndalën te hidrovori i Vlorës ku po vijon ndërhyrja për normalizimin e situatës. Çuçi tha se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren prej momenteve të para kur nisi kjo emergjencë dhe aktualisht gjendja është drejt përmirësimit.

Por sipas tij do duhet të bëhet një vlerësim i mirë i kësaj që ka ndodhur dhe të merren të gjitha masat për ndërhyrje në infrastrukturën e kanalizimeve, si dhe të ndihmohen qytetarët dhe bizneset e prekura nga përmbytjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë