Futboll

Dritë në fund të tunelit për Paul Pogba, pezullimi i reduktohet në 18 muaj: Mbaroi makthi…

Gazeta Si - Pas dëmtimit të rëndë në gju të Gleison Bremer, i cili e mbylli sezonin, vjen një lajm i mirë për Juventusin.

Skualifikimi 4-vjeçar i Paul Pogba për përdorim dopingu, u reduktua në 18 muaj, pasi futbollisti francez iu drejtua CAS-it në Lozanë.

Kështu, mesfushori francez, ish-lojtar i Manchester United, është gati të kthehet në fushë më 11 mars 2025.

I pezulluar nga ANT më 11 shtator 2023, ai u dënua me 4 vite pezullim nga futbolli më 1 mars 2024.

Është e vështirë në këtë moment të bësh ndonjë parashikim se kur mund të rikthehet në fushë për ndeshjen e parë zyrtare, por sigurisht që duhet të presë për t’u stërvitur nën urdhrat e Thiago Motta-s.

Nuk ka vonuar dhe Pogba ka thyer heshjten, pas këtij lajmi vërtet shumë të mirë, që eviton mbylljen e karrierës.

"Më në fund makthi mbaroi. Pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, mezi pres ditën kur të mund të ndjek përsëri ëndrrat e mia. Gjithmonë kam thënë se nuk kam shkelur kurrë me vetëdije rregullat e dopingut kur mora një suplement ushqimor, të përshkruar nga një mjek, i cili nuk ndikon apo përmirëson performancën e sportistëve, - tha Pogba. - Megjithëse duhet të pranoj se kjo është një gjë e ndaluar, dua të shpreh falënderimet e mia për gjyqtarin sportiv që dëgjoi shpjegimet e mia. Kjo ka qenë një kohë jashtëzakonisht shqetësuese në jetën time, pasi gjithçka për të cilën kam punuar aq shumë është lënë në pritje për t’u kthyer në fushë”.

Në fakt, “palmaresi” i tij përfshin një Kupë Bote dhe një Ligë Kombesh me Francën, një “Europa League” dhe dy “Carabao Cup” të fituara me Manchester United.

Po kështu, Pogba ka fituar 4 tituj të Serie A, 2 Kupa Italie dhe 3 Superkupa Italiane, me Juventusin. Francezi krenohet me 190 paraqitje dhe 34 gola me bardhezinjtë, ndërsa me “Djajtë e Kuq” grumbulloi 233 ndeshje, duke shënuar 39 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë