Kombetarja

Sylvinjo shpjegon listën për ndeshjet e tetorit: Besoj te mundësitë që u jepen lojtarëve, jo te eksperimentet

Nga Gazeta 'Si' - Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë Sylvinho, mbajti një konferencë për mediat pas publikimit të listës së futbollistëve për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Ai u shpreh se Kombëtarja është e hapur për rikthime, ndërsa përmendi largimin e Zekës dhe Spahiut.

“Sa i përket listës, ne kemi tre lojtarë që për fat të keq janë dëmtuar. Manaj është një, ai pasi u kthye bëri 42 minuta me klubin dhe doli nga ndeshja dhe deri tani nuk është kthyer. Fola me lojtarin, por as ai, as ne nuk duhet të rrezikojmë.

Janë dy lojtarë si Berisha që në stërvitje me Leçen kishte probleme me dëmtimin dhe ishte i rrezikshëm. I treti është Keidi Bare. Ai u dëmtua në shtator dhe deri tani nuk është kthyer, folëm me doktorin Stesina, kemi qenë në kontakt me doktorin e Saragozës. Ai është thuajse gati, por për fat të keq asnjë prej tyre nuk është në gjendje të vijë. Pajaziti është një lojtar që kemi marrë", tha Sylvinjo ndërsa shtoi se ai bëri një ndryshim shumë të bukur në Kroaci.

"Ai është një lojtar që më intereson shumë se është një mesfushor i cili mund të bëjë gjithçka. Abrashi është një lojtar që ka ende për të dhënë, në këtë periudhë që ka shumë ndryshime e largime natyrale lojtaresh, vijnë të ri, Berisha, Pajaziti, ndoshta Fetai i cili më pëlqen. Asllani e Mitaj janë të rinj, janë me ne, por edhe Muçi. Kanë nevojë për Gjimshitin, Ajeti, Abrashin, janë lojtarë të rëndësishëm, janë të lidhur me fanellën e të japin një dorë me eksperiencën e tyre. Abrashi është një lojtar të cilit i besoj 100%", deklaroi ai.

Mandej trajneri brazilian komentoi edhe mënyrën e organizimit të sulmit.

"Mua më pëlqen të luaj me 1 lojtar përpara, po ka ekipe që nuk kanë 9 përpara. Deri tani kemi Dakun dhe Manajn që e bëjnë atë rol. Në rastin e Asanit, Laçi është përshtatur në pozicionin e tij. Besoj në mundësitë që i jepen lojtarëve dhe jo në eksperimente. Ju mund të kujtoni Zekën dhe Spahiun, të cilët mund të vijnë përsëri. Zëvendësuesi i Asanit ishte Muçolli deri para 3 muajve. Lojtarët shikohen në stërvitje dhe jo vetëm në ndeshje. Sipas nesh nuk është momenti i Albion Ademit", deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë