Nga Gazeta ‘Si’– Ditën e hënë fillon grumbullimi zyrtarisht për dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve me Çekinë dhe Gjeorgjinë më 11 dhe 14 tetor, të dyja në transfertë por lojtarët do të fillojnë që nga dita e diel të grumbullohen në “Shtëpinë e Futbollit” ndërkohë që zyrtarisht pritet të mbërrijnë të hënën të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Por ashtu si në grumbullimin e pare të shtatorit edhe tani trajneri brazilian mbetet ende i paqartë për lojtarët që do të grumbullojë, ai deklaron se lista në total e lojtarëve që mund të veshin fanellën kuqezi është rreth 45 futbollistë, por një pjesë e madhe e tyre janë në dyshim, për shkak të problemeve fizike.
Kështu deri në momentin e fundit do të pritet kapiteni Berat Gjimshiti, i cili pavarësisht golit të shënuar në Europa League, u zëvendësua në pjesën e dytë për një problem shëndetësor për të cilat pritet përgjigjia e analizave.
Gjithashtu Elseid Hysaj prej rreth një muaji është jashtë skuadrës së Lazios, duke u stërvitur me ekipin e të rinjve. Në sulm mungon Armando Broja për të cilin duhet edhe një muaj për një riaftësim të plotë ndërkohë që shqetëson gjendja e Rei Manajt i cili vjen pas një dëmtimi por ende nuk është aktivizuar me klubin e tij dhe pritet kjo fundjavë, por që gjithsesi nuk do të jetë për 90 minuta.
Do të rikthehet Ernest Muçi dhe me shumë mundësi i konsideruar si sulmues tashmë nga Sylvinho, ashtu si luan tek Granada edhe Myrto Uzuni.
Ndërkohë që në mesfushë me sa duket do të jetë Adrion Pajaziti, talenti i kombëtares Shpresa i cili tregoi edhe një herë aftësitë e tij në fitoren e bujshme të kuqezinjve të vegjël përballë Zvicrës në muajin shtator ku shënoi dy golat e fitores 2-1.
Gjithsesi zyrtarisht një listë që mesa duket do të jetë sërish paraprake do ta zbulojë vetë Sylvinho mesditën e së premtes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.