Para

Tatimet thirrje bizneseve: Deklaroni pagat reale të punonjësve deri më 20 tetor. Zero tolerancë!

Nga Gazeta 'SI' - Administrata tatimore ka njoftuar bizneset që të bëjnë deklarimin e pagave reale të punonjësve të tyre deri më 20 tetor 2024.

Në kuadër edhe planit të masave që u lajmëruan nga qeveria një muaj më parë, Tatimet kanë nisur aksionin.

Sipas njoftimit, Administrata Tatimore, si institucion përgjegjës për mbledhjen e detyrimeve të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, do të vlerësojë, analizojë, evidentojë dhe trajtojë të gjitha rastet e fenomeneve dhe tatimpaguesve me risk në këtë fushë.

Tatimet paralajmërojnë se deklarimi i pavërtetë i këtyre të dhënave konsiderohet shmangie tatimore dhe si e tillë përbën kundërvajtje.

Sipas njoftimit, “deklarimi i pavërtetë cenon të drejtën e individëve të punësuar në Republikën e Shqipërisë për të përfituar pension të merituar, fenomen ndaj të cilit do të ketë 0 tolerancë!”

Një muaj më parë, kryeministri Edi Rama foli për nëndeklarimin e pagave si një problem serioz i ekonomisë dhe theksoi se “punëdhënësit që nuk deklarojnë pagat e punonjësve do të arrestohen, njësoj si hajdutët e energjisë elektrike disa vite më parë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë