Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë i është përgjigjur menjëherë kërkesës së autoriteteve greke për ndihmë në shuarjen e zjarreve, që vijojnë prej tre ditësh në Xilocastro, Peloponez.
Nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, në operacionet për shuarjen e zjarreve në Greqi do të angazhohen 30 zjarrfikës dhe 5 automjete zjarrfikëse nga Shqipëria.
Efektivët zjarrfikës nga Shqipëria do të angazhohen në bazë të nevojave të paraqitura nga vendi fqinj dhe do të qëndrojnë aty deri në stabilizimin e situatës.
Shqipëria, si anëtare e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile është përherë e gatshme të ndihmojë aleatët dhe partnerët e saj në raste e fatkeqësive natyrore.
Dy ditë më parë, dy trupa të pajetë u gjetën në zonën e Peleponezit, të cilët mendohet se ishin vullnetarë për shuarjen e flakëve që u përhapën në Korinth me shpejtësi për shkak të erës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.