Shendet

Varianti më i ri i Covid-19, grip stinor apo të dyja? Si të bëni dallimin

Kuptohet se ç’pritet për këtë vjeshtë-dimër. As më shumë e as më pak një valë e re nga XEC në një terren relaksi total ku nuk bëhen teste, ku shumëkush mendon që ka grip dhe kur kujtesa imunitare (hibride ose thjesht vaksinore) ka kriju boshllëk kohor.

Nga Dr Leidon Shapo- Me Gushtin bashkë iku dhe vapa, popullata e grupet risk duhet të dinë ç'vjeshtë/dimër vjen prapa.

Kur OBSH përmendi qe s’kemi më status pandemik Covidi, shumëkush u gëzua pamasë, por dhe vetë OBSH, përfshi ekspertët, e dinin se vendin e pandemisë do e zinte shumë shpejt jo domosdoshmërisht përkufizimi endemik, por vazhdimësia e bishtit Covidian dhe goditjes mes nënvarianteve Omicroniane që në varësi të mbulesës vaksinore dhe mbrojtjes imunitare në popullatë mund të krijonin valë më të vogla reziku me më pak shtrime spitalore dhe vdekje, ama me rrezikshmëri më të lartë tek grupet vulnerabël (një kategori jo e vogël njerëzish).

U pa dhe debatua në dy vitet e shkuara mundësia e një "dydemie" ose shkurt - një epidemi gripi që shpaloset në mes të një pandemie të COVID-19.

Komuniteti mjekësor ishte i shqetësuar se nëse do kishte një numër në rritje të rasteve të gripit, ai do të sforconte sistemin spitalor në krye të asaj që po ndodhte me pandeminë COVID-19.

Në dy vitet e shkuara virusi i gripit shkaktoi një numër tejet të lartë të sëmundjes në botë, përfshi dhe vendet me sistem të lartë survejance e mbulese të mirë vaksinore.

Ashpërsia e sezonit të gripit të këtij viti pritet të jetë e njejtë por e paparashikueshme. Me afrimin e dimrit, të shumtë janë ata që mund të kolliten dhe teshtijnë, kështu që gjasat e transmetimit janë shumë më të larta kur dikush ka simptoma aktive.

Ashtu si në pranverë kur dallimi midis alergjive sezonale dhe nënvarianteve të Omicron vazhdonte të konfuzonte personelin, sfida tani do të jetë identifikimi i shenjave të nënvariatit më të ri të COVID-19 (XEC) kundrejt gripit stinor.

COVID-19 kundrejt gripit: Cili është ndryshimi?

Fillimisht dallimi mund të mos jetë i lehtë. Edhe pse gripi dhe COVID-19 shkaktohen nga viruse krejtësisht të ndryshme, ato ndajnë një sërë simptomash:

Ethe

Lodhja

Kollë

Dhimbje të fytit

Rrjedhje nga hunda

Probleme me frymëmarrjen (marrje fryme ne efort minimal)

Dhimbje trupi

Dhimbje koke

Etj..

Sidoqoftë, ekzistojnë dy dallime të dukshme midis gripit dhe varianteve më të fundit qarkulluese të COVID-19 (në përgjithësi).

Së pari, humbja e shijes dhe nuhatjes është specifike për COVID-19 dhe nuk shihet tek njerëzit që kanë grip. 

Ky është një ndryshim që ende mbetet shumë i rëndësishëm për të dalluar gripin dhe COVID-19.  Ndërsa mund të mos shfaqet në të gjithë pacientët (rreth 38% deri në 55% e pacientëve kanë raportuar humbje të shijes dhe rreth 40% kanë raportuar humbje të nuhatjes), kjo simptomë specifike mund të shfaqet diku nga dy ditë pas kontraktimit të virusit deri në 14  ditë pas fillimit të simptomave.

Veçantia e XEC nënvarianti më i ri Omicronian është se shenjat i ka:

Temperaturë

Dhimbje të fytit dhe kollë

Rrjedhje hundësh/teshtima

Lodhja trupore/ dhimbje muskulore

Dhimbje koke

Së dyti, mënyra se si shfaqen simptomat tek pacientët është shumë e ndryshme. Si gripi ashtu edhe COVID-19 shkaktojnë kollë dhe gulçim, por në përgjithësi, simptomat e COVID-19 kanë tendencë të zgjasin më shumë se gripi.  Ato mund të zgjasin për disa javë, nëse jo muaj (si psh Covidi i gjatë).

Ka dhe shenja të tjera si skuqje apo kruarje sysh, skuqje dhe kruarje të lëkurës, etj.

Çfarë duhet bëre nëse mendojmë që kemi grip, COVID-19, ose të dyja?

Është parë nga vitet e shkuara që është e mundur të dalësh pozitiv për gripin dhe COVID-19 në të njëjtën kohë, megjithatë, sipas ekspertëve "mundësia e një koinfeksioni është shumë e ulët". 

Vënia e diagnozës mbetet e rëndësishme.

Flisni me mjekun e familjes: Nëse keni një shenjë treguese të COVID-19 ose gripit, është e rëndësishme të kërkoni kujdes mjekësor. Le të themi se ju fillon me dhimbje koke, ethe, dhimbje trupi dhe lodhje. Unë do të vendosja një maskë, do të izolohesha nga familja dhe do të flisja me mjekun për simptomat. A do bërë kjo nga të gjithë këtë vjeshtë/dimër? Jo domosdoshmërisht por kategori në risk dhe grupe vulnerabël duhet ta bëjnë dhe duhet të qëndrojnë në shtëpi e mos të udhëtojnë pa maskë apo shkojnë në punë e teshtijnë apo kolliten nëpër mbledhje me kolegët në ambiente të mbyllura!

Testohuni mes testeve të shpejta: Është e rëndësishme që të testohemi sa më shpejt që të jetë e mundur për të përcaktuar nëse keni COVID apo grip.

Në fakt tamponi i hundës mund të përdoret për të testuar si për COVID-19 ashtu edhe për gripin.

Filloni trajtimin: Pas vënies se një diagnoze, ju mund të vazhdoni me trajtimin e duhur. Për gripin, standardi është një preparat antiviral që mjeku i familjes mund të përshkruajë qe ndihmon në zvogëlimin e ashpërsisë së simptomave dhe shkurtimin e kohëzgjatjes së sëmundjes.  Për rastet më të lehta të COVID-19, shumica e njerëzve mund të shërohen në shtëpi duke monitoruar simptomat e tyre, duke pushuar dhe duke pirë lëngje.

Nëse keni probleme me frymëmarrjen, dhimbje të vazhdueshme, presion në gjoks, konfuzion (që së keni pasur më parë), paaftësi për t'u zgjuar ose për të qëndruar zgjuar, ose shenja te tjera alarmante, kërkoni menjëherë kujdes mjekësor urgjent.

Kush tha qe kaq ishte?

Jo jo, është koha që në veçanti grupet vulnerabël (65 vjeç e lart, ata me sëmundje kronike pre-ekzistuese, imunitet të rënë, etj.), që janë shtuar në numër, që vaksinën e fundit përforcuese kundër COVID-19 dhe gripit kanë afro dy vite pa e bërë, të marrin dozat përforcuese për këtë dimër! Kategoritë e mësipërme bëjnë mirë të marrin dhe vaksinën e gripit dhe nuk përbën problem ti marrin të dyja në një vizitë tek mjeku i familjes nëse janë mirë me shëndet (të kontrolluar nëse kanë probleme shëndetësore).

Ne s’mund të parashikojmë të ardhmen, por mund dhe duhet të përgatitemi për të.

Çna thonë të dhënat për këtë vjeshtë-dimër lidhur me rritjen e rasteve nga Qershori e këndej lidhur me nenvariantin XEC i cili tashmë është përhapur në 27 vende të botës me Europën, Azinë dhe Amerikën e Veriut të prekura:

Të prekurit thonë që jan infektuar për herë të 4-rt ose të 5-të dhe distanca nga infeksioni i fundit me Covid-19 ka qenë reth 6 muaj më parë, një indicie e rënies së mbrojtjes imunitare nga kontaktet me nënvariantin Pirola dhe në boshllëk afro 2-vjeçar ose 18 mujor nga vaksinimi i fundit booster.

Testi i shpejtë nga hunda tregoi menjëherë që ishin të infektuar me Covid dhe shenjat si kollë apo temperaturë ishin të mjafta për të kuptuar se bëhej fjalë për Covid dhe jo grip.

U desh një javë deri në 10 ditë që simptomat të përmirësoheshin dhe testi të negativizohej.

Kuptohet se ç’pritet për këtë vjeshtë-dimër. As më shumë e as më pak një valë e re nga XEC në një terren relaksi total ku nuk bëhen teste, ku shumëkush mendon që ka grip dhe kur kujtesa imunitare (hibride ose thjesht vaksinore) ka kriju boshllëk kohor.

*Dr Leidon Shapo është ekspert i shëndetit publik në Britani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë