Ka ndodhur

Dhunohet me sende të forta polici i Burgjeve në Tiranë, tre autorët i marrin edhe armën e shërbimit

Gazeta Si - Tre persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar dhe dhunuar në Tiranë një punonjës policie të Burgjeve, ku para se të largoheshin i kanë marrë edhe armën e shërbimit që mbante me vete.

Efektivi Arbër Labi, mësohet se është goditur nga tre autorë në afërsi të banesës së tij në Yzberisht, në rrugën "3 Dëshmorët".

Ai ndodhet në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. Autorët kanë qenë me një mjet tip fuoristradë të bardhë. Policia thotë se po punon për identifikimin e tyre dhe kapjen.

Sipas burimeve, mësohet se 3 personat e kanë goditur efektivin me shkop bejsbolli në kokë. Në momentin që ai ka nxjerrë armën e shërbimit, autorët ia kanë marrë, ndërkohë të dëmtuarit i ka mbetur vetëm karikatori. Në dëshminë paraprake, efektivi Labi ka thënë që dyshon për shkak të detyrës.

Megjithatë për hetuesit po hetohet dhe pista tjetër e ndonjë konflikti me persona të tjerë që nuk ka lidhje me punën si efektiv burgjesh.

I riu punonte edhe në lokale nate, ku mund të ketë pasur ndonjë konfliktit me autorët që më pas e dhunuan.

I dëmtuari është dërguar me urgjencë te Spitali i Traumës, pasi ka fraktura dhe dëmtime jo vetëm në trup, por edhe në pjesën e kokës. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës dhe u bë e ditur mëngjesin e kësaj të shtune.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë