Treg

Subjektet financiare jobanka arkëtuan 1 mld lekë fitim në 6-mujorin e parë. 52% e kredisë iu dha individëve

Nga Gazeta 'SI' - Përveç bankave, edhe subjektet e tjera financiare kanë përjetuar një periudhë pozitive, por jo aq sa të një viti më parë.

Ato që njihen si subjekte jobanka, kanë raportuar një zgjerim të aktivitetit të tyre duke e mbyllur 6-mujorin e parë të 2024-s me një fitim prej 1 mld lekësh, megjithatë më të ulët se niveli i fitimit të raportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2023, 1.8 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë tregon se subjektet financiare jobanka, SFJB, kanë financuar sektorin e shërbimit në masën 22%, atë të tregtisë me 18% dhe ndërtimin me 10%. Më shumë se gjysma e stokut të kredisë së këtyre subjekteve, 52% ka shkuar për kredimarrësit individë.

Për të njëjtën periudhë, cilësia e kredisë ka pasur përmirësim. Pra treguesi i kredive të këqija është reduktuar nga 13.3% në 12.8%.

Rreth 76% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit është me kapital vendas.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar mbetet i ulët, ndonëse ka shënuar një rritje të lehtë gjatë periudhës, ndërsa ndjeshmëria e sektorit jobankar ndaj veprimtarisë së sektorit bankar mbetet e lartë, por nuk ka shënuar ndryshime gjatë periudhës. Në raport me aktivet e tyre, shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit kanë ekspozimin më të madh ndaj sektorit bankar, pasi vendosjet e tyre në banka përbëjnë rreth 34% të aktiveve të tyre.

Aktualisht, në tregun financiar operojnë 40 IFJB, nga të cilat: 25 subjekte janë institucione të kredisë, mikrokredisë, faktoringut, qirasë financiare, blerjes së kredive me probleme etj.; 5 subjekte janë institucione pagesash; dhe 10 janë institucione të parasë elektronike.

Aktivitet kryesor i IFJB-ve është ai kreditues (37%), ndjekur nga shërbimet e pagesave dhe transfertave (31%), si edhe paraja elektronike (20%). Në sistemin financiar operojnë gjithashtu 16 shoqëri të kursim-kreditit (ShKK) dhe një Union, 12 shoqëri sigurimi, 16 fonde investimi dhe 6 fonde pensioni. Peshën kryesore në veprimtarinë e sektorit jobankar e zë aktiviteti i institucioneve financiare jobanka, ndjekur nga fondet e investimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë