Ka ndodhur

Plagosi tre persona në Tiranë, arrestohet 32-vjeçari në një hotel në Kukës

Gazeta Si - Një 32-vjeçar, Edison Elezaj është arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe pas kësaj ishte arratisur drejt Kukësit, ku po qëndronte në një hotel.

“Më datë 23.07.2024, në Rrugën e Kavajës, 32-vjeçari dyshohet se aksidentalisht ka bërë shkrepje të pavullnetshme me një armë zjarri, dhe si pasojë janë plagosur 3 shtetas”, njoftoi këtë të enjte policia.

Ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë arrest me burg në mungesë nga gjykata e Tiranës.

Nga ngjarja në fjalë, që ndodhi më 23 Korrik, mbetën të plagosur tre persona, dy vëllezër dhe motra e tyre.

Policia tha se disa të rinj ishin në një festë së bashku me familjarët e tyre kur 32-vjeçarit iu shkrep në mënyrë të pavullnetshme arma që mbante pa leje.

Të lënduarit më pas u dërguan në një spital privat në Tiranë dhe pasi morën ndihmën e parë u larguan në shtëpinë e tyre.

Ndërkohë që Elezaj u arratis menjëherë pas ngjarjes, pas hetimeve, policia vuri në pranga dy shokë të tij, Arjan Dushaj dhe Dardan Zalli për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë