Shendet

33% e shqiptarëve nuk blejnë dot ilaçet, përqindja më e lartë në rajon

Nga Gazeta Si- 33 për qind e shqiptarëve hasin vështirësi për të blerë ilaçet që nuk rimbursohen nga sigurimet.

Sipas barometrit të Ballkanit 2024, Shqipëria ka përqindjen më të madhe në rajon të personave që përballen me vështirësi në blerjen e ilaçeve që nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor.

Të pyetur nëse gjatë 12 muajve të fundit nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë barnat që nuk mbulohen nga sigurimet, 33 për qind e 1000 personave janë përgjigjur me “Po”.

Në vende të tjera të rajonit, qytetarët përballeshin me më pak vështirësi në sigurimin e ilaçeve që u duheshin.

Në Kosovë, 13 për qind e qytetarëve hasnin vështirësi, 31 për qind në Maqedoninë e Veriut, 15 për qind në Bosnje, 25 për qind në Malin e Zi dhe 13 për qind në Serbi.

Si një vend në zhvillim, Shqipëria ka shpenzime të ulëta për frymë për shërbimet shëndetësore, përfshi edhe medikamentet, por pagesat nga xhepi janë në nivele shumë të larta për një vend që ofron shëndetësinë falas.

Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore në vitin 2021, shpenzimet për frymë për shëndetin në Shqipëri ishin 465 dollarë. Nga kjo shumë, po sipas BB, 59.7%, ose 277 dollarë për frymë janë shpenzime për frymë nga xhepi.

Medikamentet shpesh blihen nga xhepi në farmaci

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se importet e ilaçeve janë rreth 26-28 miliardë lekë në vit, duke u shtuar dhe marzhin e shpërndarjes me shumicë dhe pakicë (25%) vlera finale arrin në 35 miliardë lekë.

Nga kjo shumë, rreth 12 miliardë lekë rimbursohet nga shteti (kryesisht për pensionistë apo të sëmurë kronikë), ndërsa qytetarët mbulojnë me shpenzimet e veta rreth 23 miliardë lekë në vit (rreth 230 milionë dollarë).

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm ka njoftuar më herët se sëmundjet kronike janë duke u rritur me shpejtësi, teksa fondet për rimbursimin e medikamenteve nuk kanë qenë të mjaftueshme në vitin 2023.

Ndërkohë, në listat e rimbursimit shpesh janë medikamente që nuk janë efektive, duke bërë që shumë qytetarë t’u drejtohen farmacive.

Gjithashtu për shërbimet shëndetësore në spitalet publike qytetarët paguajnë nga xhepi por kjo shumë është praktikisht e pamatshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë