Ka ndodhur

Zbulohen qindra bimë kanabisi në dy banesa të braktisura, arrestohet 46-vjeçari në Shkodër

Gazeta Si - Një 46-vjeçar është arrestuar në Shkodër i akuzuar për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje pa leje.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se ka asgjësuar rreth 390 bimë kanabisi në fshatin Xhan, të cilat u gjetën të mbjella brenda dy banesave të braktisura. Po ashtu, është sekuestruar dhe një kallashnikov e municion luftarak.

"Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Xhan, të njësisë administrative Pult, kanë konstatuar të mbjella në tokë 54 bimë të dyshuara kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit në dy banesa të braktisura, u gjetën rreth 336 bimë të dyshuara narkotike kanabis në proces tharjeje, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies. Po gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak", - njofton policia.

Kështu, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.F., 46 vjeç, banues në fshatin Bleran, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve kanabis dhe posedues i armës së zjarrit dhe municionit luftarak që u gjetën në dy banesat e braktisura që i kishte në përdorim ky shtetas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë