Nga Gazeta 'SI' - Shqetësimit të përdorimit masiv të parasë së thatë, do t'i vijë fundi në 2025-n.
Qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë parashikojnë vendosjen e një kufiri të parave cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit.
Në kuadër të kësaj mase, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.
"Transaksionet me para fizike në sportelet e bankave kanë shënuar një rënie në numër me 9.2% dhe një rritje të lehtë në vlerë me 1.3% në vitin 2022 krahasuar me një vit më parë. Përdorimi i parasë fizike mbetet ende mbizotërues në ekonominë shqiptare, duke mbartur kosto të larta për aktorët ekonomikë. Për këtë arsye, është thelbësore nxitja e përdorimit të instrumenteve më efikase dhe me kosto të ulëta, që përbën një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë", thekson ministria e Financave.
Strategjia nuk e përcakton se sa do të jetë kufiri i ri i lejuar i pagesave me lekë në dorë për bizneset, por në dokument paralajmërohet se paralelisht do të krijohet edhe kuadri i riskut për të evidentuar tatimpaguesit të cilët fragmentizojnë faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji. Po kështu ky kuadër do të evidentojë edhe tatimpaguesit që kanë nivel anormal të faturimit cash krahasuar me të ngjashmit e tyre.
Një masë e tillë u prezantua fillimisht nga ish-ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në viti 2022, por u vendos vetëm kufizimi për pagesat midis bizneseve, deri në 150.000 lekë.
Paraja cash nga ana tjetër është shqetësim për Bankën qendrore, sidomos ajo që qarkullon në valutë.
“Përdorimi i pagesave me para në dorë në Shqipëri ka qenë dhe mbetet ende i lartë në krahasim me vendet e tjera europiane. Sipas të dhënave të fundit nga Banka e Shqipërisë, rreth 90% e transaksioneve të konsumit përfundimtar kryheshin me para në dorë në vitin 2022. Raporti i vlerës së kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim ndaj M3 (Agregatit të Gjerë Monetar). Në fund të vitit 2022, ky raport ishte 27.9% në Shqipëri sipas Bankës së Shqipërisë. Kjo është shumë më e lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian prej 10.7%,” thuhet në dokumentin e strategjisë 2024-2027.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.