Treg

Indeksi i shëndetit bankar u përkeqësua gjatë 2024-s. Sulmet kibernetike dhe kursi i këmbimit ‘trembën’ sektorin

Nga Gazeta 'SI' - Indeksi i shëndetit bankar u përkeqësua gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, raporton Banka e Shqipërisë.

Edhe pse bankat e huaja kanë ecuri më të mirë se ato shqiptare, Indeksi tregon se në krahasim me fundin e vitit 2023, bankat me kapital të huaj paraqitën dobësim të të gjithë treguesve me përjashtim të cilësisë së aktiveve. Në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, indeksi tregon për situatë të qëndrueshme dhe nuk paraqet ndryshime. Për bankat me kapital vendas vërehet rënie e lehtë e cilësisë së kapitalit, likuiditetit dhe veçanërisht eficiencës gjatë periudhës.

Sipas vrojtimit me bankat për perceptimin e rreziqeve sistemike, ka një zbutje të perceptimit të rreziqeve nga faktorë të brendshëm dhe rritjes së rrezikut nga goditjet e jashtme.

Bankat kanë vlerësuar “rrezikun e goditjeve nga jashtë” si rrezikun kryesor sistemik të periudhës dhe vlerësimi për të ka mbetur i pandryshuar krahasuar me periudhën paraardhëse.

Rreziku kibernetik renditet në vendin e dytë, dhe nota e rrezikut është rritur krahasuar me periudhën paraardhëse.

Perceptimi i bankave mbi rrezikun e inflacionit është zbutur ndjeshëm gjatë periudhës.

Bankat theksojnë nevojën e monitorimit edhe të kursit të këmbimit pas dobësimit të shpejtë të euros dhe dollarit, por rreziku nuk perceptohet ende i lartë. Gjithsesi frika për këtë factor është rritur nga fundi i vitit 2023.

Mundësia e materializimit të një/ose disa prej rreziqeve të rëndësishme sistemike në të ardhmen afatshkurtër vlerësohet e ulët, por ajo paraqitet disi më e lartë kur diskutohet për një horizont më të gjatë kohor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë