Nënë e bir kanë ndërruar jetë gjatë natës, pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët në fshatin Nikoliq të Hasit.
Në shtëpi jetonte një familje. Djali i shtëpisë Rexh Lushi ka lajmëruar zjarrfikësen e cila është nisur drejt vendngjarjes që është 8 km larg Hasit në një rrugë me kalldrëm.
Rexh Lushi pasi ka shpëtuar bashkëshorten është futur në shtëpi për të nxjerrë nënën e bllokuar mes flakëve, por nuk ka mundur dot të dalë prej andej.
Zjarrfikësit kanë gjetur vetëm trupin e Time Lushit dhe po punohet për gjetjen e djalit të saj. Shkak për ngjarjen dyshohet një ngrohëse e harruar ndezur.
Ndërkohë, një ekip ekspertësh po kryejnë veprimet për identifikimin e shkakut të zjarrit. Për ngjarjen ka dalë më njoftim edhe Policia
“Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R. L. Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R. L. dhe nëna e tij, shtetasja F. L., ndërsa bashkëshortja e shtetasit R. L., shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa. Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorit, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thekson policia në njoftimin zyrtar.
Të afërmit e viktimave: Djali hyri për të shpëtuar nënën dhe ngeli brenda
Ndërkohë, familja Lushi në Nikiloq të Hasit ka hapur dyert e mortit për 57-vjeçarin Rexh Lushi dhe nënën e tij, Fatime Lushi, që humbën jetën.
Të afërmit e viktimave kanë thënë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e energjisë elekrike. Ata thanë se Rexha ishte duke ndihmuar nënën për ta nxjerrë nga shtëpia.
“S’kishte asnjë lloj mundësie për t’i ndihmuar, ishin të gjithë policia, zjarrfikësit dhe i gjithë katundi,” shprehet një bashkëfshatar i viktimave. Ka hyrë për të nxjerrë nënën dhe ka ngelur brenda''.
Ai tha se Rexha kishte njoftuar edhe policinë, përpara se të futej për të shpëtuar nënën e tij. Nga zjarri ka shpëtuar bashkëshortja e Rexhës. Viktima i kishte fëmijët dhe pjesën tjetër të familjes jashtë vendit, kryesisht në Angli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.