Ekonomi

Të ardhurat nga taksat rriten me 9% për 8-mujorin. Shteti del me suficit

Nga Gazeta 'SI' - Në tetë muajt e parë të vitit, në arkën e shtetit janë mbledhur 463.8 mld lekë, duke u rritur me 9% nga një vit më parë dhe duke tejkaluar planin e periudhës. Për të njëjtën periudhë, qeveria ka shpenzuar 405.7 mld, duke rezultuar me një suficit prej 58.1 mld lekësh.

Të ardhurat

Sipas statistikave të ministrisë së Financave, Doganat kanë arkëtuar 152.7 mld lekë me rritje 8% nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

TVSH në import ka arkëtuar 102.9 mld lekë, 8% më shumë se një vit më parë dhe 0.5% më shumë se plani.

Të ardhurat nga akciza raportohen 41.9 mld lekë, 9.8% më shumë se një vit më parë dhe 1.6% më shumë se plani. Renta minerare ka arkëtuar 1.9 mld lekë, 6.5% më pak se një vit më parë dhe më pak se plani.

Të ardhurat nga taksat e tjera doganore janë arkëtuar në vlerën 6 miliardë lekë, 1.6% më shumë se 8-mujori 2023, si dhe realizim në masën 103.2% kundrejt planit.

Tatimet kanë arkëtuar 152 mld lekë për 8-mujorin, me rritje 12.2% nga një vit më parë dhe 4.6% se plani.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar raportohen 37.9 mld lekë, ose 22.7% më shumë se në 2023-shin dhe 3.3% më shumë se parashikimi.

Tatimi mbi fitimin solli 39.2 mld lekë në arkë me rënie 4.1% nga një vit më parë dhe 5.8% mbi pritshmëritë.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën 44.9 mld lekë me rritje 14.1% se viti i shkuar dhe 1% më shumë se plani.

Taksat nacionale, për periudhën 8-mujore 2024, u realizuan në masën 30 miliardë lekë, 23.3% më shumë se 8-mujori 2023, si dhe 10.7% më shumë se plani për 8-mujorin 2024.

Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga administrata tatimore, ISSH dhe FSDKSH, u realizuan në masën 105 miliardë lekë,  11.3% më shumë se 8-mujori 2023, si dhe një realizim me 101.3% të planit për 8-mujorin 2024.

Rimbursimet për periudhën 8-mujore 2024 janë 16.4 miliardë lekë,  33.9% më shumë se 8-mujori 2023, si dhe 40.3% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 8-mujorin 2024.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 405.7 miliardë lekë me një realizim në masën 93.15 të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.4% më i lartë ose rreth 27.8 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 8 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 55% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 52.6% sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë