Rend dhe Ligj

SPAK dyshon se operacioni për goditjen e grupit ‘Çopja’ u dekonspirua, sekuestrohet telefoni i Drejtorit të Policisë së Elbasanit  

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur dyshimet se operacioni ndaj vëllezërve Çopja në Elbasan në fund të korrikut është dekonspiruar.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi disa prej eksponentëve kriminalë nuk u kapën në kuadër të operacionit për të goditur grupin e drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan, ku njëri (Hajdar Çopja) është shpallur në kërkim dhe tjetri (Franc Çopja) ndodhet i arrestuar në Belgjikë pas ekstradimit të tij nga Dubai në fund të vitit të shkuar.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, me dyshimet se policia ka nxjerrë sekretin hetimor, SPAK është vënë në lëvizje duke sekuestruar telefonin e drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.

Drejtuesi i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda

Prokuroria e Posaçme ka përfshirë si pjesë të kontrollit edhe 10 agjentë të policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara në kuadër të operacionit që goditi bandën e vëllezërve Çopja në Elbasan.

Po ashtu, gjithnjë sipas burimeve, SPAK ka marrë në pyetje edhe 3 drejtues policie që dyshohet se kanë patur dijeni për operacionin.

Prokuroria e Posaçme organizoi një megaoperacionin në Elbasan më 30 korrik, ku u lëshuan disa urdhër arreste, ne funksion te zbardhjes se disa vrasjeve te porositura nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

Hetimet e SPAK provuan se, 'kjo organizatë kriminale që drejtohej nga vëllezërit Çopja dallohej për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare'.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë