Treg

Euro në pikën më të ulët historike, këmbehet me 99.47 lekë

Nga Gazeta 'SI' - Monedha europiane ka prekur një minimum të ri kundrejt lekut.

Të premten e 13 shtatorit, 1 euro këmbehet me 99.47 lekë, duke rënë me 0.11 pikë në 24 orë. Me rënie janë dhe valutat e tjera, me dollarin që ka thyer kufirin e 90 lekëve dhe këmbehet me 89.64 lekë.

Paundi britanik këmbehet me 117.85 lekë, ndërsa franga zvicerane me 105.74 lekë.

Të dhëna të tjera nga Banka e Shqipërisë tregojnë se deri në fund të qershorit 2024, turistët e huaj sollën në Shqipëri 1.95 mld euro dhe 749 mln euro investime direkte.

Euro tregoi stabilitet në mes të sezonit turistik, teksa rrokullisej në fashën e 100 lekëve. Ndonëse pa burime zyrtare, ekspertë të tregut thonë se ka qenë “një dorë e padukshme” e Bankës qendrore që ka mbajtur euron në këto nivele.

Guvernatori Gent Sejko, më herët qe shprehur se BSH nuk mund të bëjë publike ndërhyrjet në kurs, pasi shkakton luhatje të forta në treg, si pasojë e efektit psikologjik. Vetë Guvernatori pranoi se Banka ka tërhequr nga tregu më shumë euro nga se ishte planifikuar, për të amortizuar zhvlerësimin e mëtejshëm të saj.

Duke pranuar se fuqia e parasë informale është tepër e lartë, Sejko i kërkoi ndihmë edhe qeverisë së vendit.

“Asnjëherë nuk ke besë kursi i këmbimit është shumë djallëzor, dhe i pabesë. FMN ngriti një alarm që mund të ndodh dhe e kundërta dhe kursi të kthehet në kahun e zhvlerësimit të lekut. Me flukset hyrëse në kursin e këmbimit të euros nëse do të vazhdojnë flukse valutore të rritura, Banka e Shqipërisë do ta ketë të pamundur të mbajë një stabilitet në kurs”, tha drejtuesi i BSH-së nga Kuvendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë