Nga Gazeta Si- Fundi i korrikut dhe gushti shënuan një valë të re të rritjes së infektimit me Covid.
Drejtoresha e ISHP-së Eugena Tomini tha për mediat se në këtë periudhë ka pasur deri në 400 raste në javë,.
“Situata e Covid është gjatë gjithë vitit prezent. Ndryshe nga gripi që është sezonal, Covid ka qenë prezent. E ka pasur pikën që e kemi quajtur si valë verore, se vazhdimi nga janari në korrik ka qenë në normalitet. Më pas bëri të njëjtën trajektore ku pati rritje në fund të korrikut deri në fund të gushtit, ku ka shkuar deri në 390-400 raste në javë”, tha Tomini, e cila rekomandon që të mos neglizhohen shenjat.
Për mjekun Ilir Alimehmeti, arsyeja kryesore e rritjes së të infektuarve me Covid gjatë verës kanë qenë udhëtimet, ndërkohë që varianti i Covid vijon të mbetet Omicron.
“Kjo u vu re edhe vjet ku patëm edhe një valë verore. Vala verore ka tendencën të jetë më e qetë por një nga arsyet kryesore janë udhëtimet. Njerëzit lëvizin shumë, në një anketim të Eurostat 90% e europianëve do të lëviznin gjatë verës. Duke pasur koeficientin R më të lartë, ka mundësi të ngjitet dhe në verë. Ndërkohë që gripi nuk e ka dhe s’do të kemi kurrë grip në verë. Varianti mbetet Omicron”, tha Alimehmeti.
I pyetur për pasojat e vaksinës së Covid, mjeku Alimehmeti tha se nuk ka vaksina pa efekte anësore, por kur anon nga e mira rekomandohet, kur anon nga e keqja i heqin.
“Kemi medikamente që i kemi përdorur 40 vjet dhe i kemi hequr. Kishim një situatë emergjence. Pse u caktua me detyrim? Sepse në fillim të dhjetorit të 2020-ës u diskutuan efektivitet 95-96% dhe që do bllokonte transmetueshmërinë. Efektet 10-vjeçare janë të rralla, por nuk mund ta them pa kaluar 10 vite. Duhej një komunikim dhe individualizim, por kjo ishte shumë e vështirë për t’u bërë në atë kohë”
Aktualisht kemi një rënie të rasteve të Covid në qarkullim nga 120 raste në javë në dy javët e fundit, aktualisht kemi 60-70 raste në javë. Por prezenca e infeksioneve respiratore ka vijuar të mbizotërojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.