Njerez

Fëmijët e rrugës, mbi 1 mijë të shfrytëzuar në 3 vjet (por mungojnë statistikat zyrtare)

Nga Gazeta Si- Ndonëse viti shkollor sapo ka nisur, fëmijët e rrugës vijojnë të punojnë gjatë ditës deri në mbrëmjet vonë, dikush duke vrapuar mes makinave të lajë xhamat, e dikush tjetër duke kërkuar lëmoshë.

Fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve duket se jo vetëm nuk është zhdukur, por po rritet nga viti në vit.

Zyra që adreson raportimet për shfrytëzimin e fëmijëve, pranë Qendrës për mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, thotë për ‘Gazetasi’ se në vitin 2022, në numrin jeshil 116 u raportua për 345 fëmijë, nga të cilët, 134 djem dhe 132 vajza, të cilët punojnë në rrugë.

Në vitin 2023 kjo shifër u rrit me 389 fëmijë, mes tyre 147 djem dhe 130 vajza.

Sipas të dhënave të CRCA, viti 2024 shënoi një rritje të numrit të fëmijëve që shfrytëzohen në rrugë.

Të dhënat e raportuara nga linja kombëtare telefonike ‘Alo 116’, tregojnë për 272 raste në periudhën janar-gusht, nga të cilët 102 janë djem dhe 130 vajza.

 “8-mujori i këtij viti shënon rritje më shumë të raportimeve për fëmijë në rrugë që lypin apo janë të braktisur, duke qenë kontigjent trafikimi. Ne kemi ngritur alarmin pranë institucioneve, duke u vënë në dispozicion të dhënat që janë raportuar përmes linjës telefonike ‘ALO 116-111’ nga qytetarë të shumtë në kryeqytet”, thotë Klaudio Pulaha, punonjës social pranë linjës kombëtare ALO 116-111.

Klaudio Pulaha nga linja kombëtare ALO 116-111

Të dhënat e Linjës së Telefonit të Ndihmës për Fëmijët për vitin e fundit, tregojnë se nga viti 2017, raportimet për shfrytëzimin e fëmijëve për punë u rritën me 40 për qind.

“Nga ana tjetër, ne përballemi me një mungesë të të dhënave dhe shifrave mbi shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime ekonomike dhe seksuale nga institucionet publike përgjegjëse. Që prej më shumë se 10 vjetësh, asnjë institucion nuk ka publikuar të dhëna mbi shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime ekonomike apo seksuale. Raporti i fundit mbi këtë çështje i përket vitit 2010 (INSTAT / ILO), i cili tregoi se rreth 7 për qind e fëmijëve shfrytëzoheshin për punë, shumica e tyre në punë familjare”, thonë drejtuesit e CRCA.

Sipas tyre, ndërsa të gjitha shtetet e BE zbatojnë programe kombëtare që asnjë fëmijë të mos rritet në varfëri, Shqipëria asnjëherë nuk ka patur një program të tillë, ndonëse shoqëria civile prej mbi 20 vjet e ka kërkuar këtë gjë.

Skema e ndihmës ekonomike (ndihma në të holla) asnjëherë nuk u ideua nga Qeveria si një program kombëtar për të larguar njerëzit nga varfëria dhe për të shërbyer si një rrjetë mbrojtëse për çdo individ dhe familje në risk.

Ajo u dha dhe ende jepet si një lëmoshë për të mbajtur dhe zgjatur varfërinë e tejskajshme të familjeve që bëhen pjesë e saj. Ndonëse skema zbatohet që prej vitit 2006, nuk ka asnjë raport serioz dhe të pavarur të efektshmërisë së saj në uljen apo largimin nga varfëria të familjeve përfituese të saj.

“Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, sidomos i sektorit të turizimit, gjatë dy viteve të fundit, është një mundësi e mirë për vendin për të adresuar disa nga problemet madhore, si varëfria, pabarazitë në zhvillimin e komuniteteve dhe zonave të deprivuara. Analiza e buxhetit të shtetit përgjatë viteve të fundit, tregon për një ulje të vëmendjes dhe investimeve nga ana e Qeverisë për fëmijët dhe të rinjtë. Buxheti i shtetit, përtej premtimeve, ka ardhur duke u ulur nga viti në vit, si në drejtim të kujdesit dhe mbrojtjes sociale, ashtu edhe të arsimimit të fëmijëve, dy fusha ku studimet tregojnë se investimet gjithmonë sjellin përfitime 3-5 herë më shumë për shtetin dhe për shoqërinë. Mungesa e indikatorëve për fëmijë e bën edhe më të vështirë matjen e investimeve të bëra nga buxheti i shtetit apo nga Bashkitë për fëmijët, një tjetër tregues ky i mungesës së vëmendjes përkundrejt fëmijëve’, thuhet në një raport të Qendrës për të Drejtat e fëmijëve, CRCA.

Studimi i përbashkët i ECPAT Shqipëri dhe ECPAT Gjermani (viti 2022) mbi mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit, tregon se Shqipëria ka mangësi serioze në shumë aspekte dhe se shfrytëzimi i fëmijëve si për punë ashtu edhe për qëllime seksuale, është tashmë një realitet. Pavarësisht se ky shqetësim u afirmua edhe nga Rekomandimet Përfundimtare të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së në Gjenevë (Shtator 2023), autoritetet deri më sot nuk kanë marr asnjë masë për të adresuar këto shqetësime serioze.

Mungesa e masave dhe programeve në ndihmë dhe mbështetje të familjeve, sidomos në nivel lokal, rrezikon ta kthejë vendin tonë në një oaz të shfrytëzimit ekonomik dhe seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë