Nga Gazeta Si- Komisioneri për mbrojtjen e fëmijëve të trafikuar në Britani ka ngritur shqetësime për shfrytëzimin e këtyre fëmijëve, duke thënë se para së gjithave, këto fëmijë nuk shihen si viktima.
The Guardian shkruan se janë më shumë se 1500 fëmijë janë viktima të trafikimit dhe kanë frikë nga shfrytëzuesit, duke qenë se mekanizmat për t’i mbrojtur kanë shumë burokraci dhe nuk funksionojnë si duhen.
Viktimat janë fëmijë britanikë dhe fëmijë shqiptarë që detyrohen të mbyllen diku dhe të kultivojnë bimë kanabisi.
Komisionerja e mbrojtjes së fëmijë në Britani, Dame Rachel de Souza tha se prej kohësh është e shqetësuar për rreziqet me të cilat përballen këta fëmijë, të cilët kanë përjetuar disa nga traumat më të këqija dhe janë jashtëzakonisht të cenueshëm.
“Shumë shpesh ata nuk shihen si viktima para së gjithash, që do të thotë se nuk marrin mbështetjen e shpejtë dhe të plotë që u nevojitet, duke i bërë të cenueshëm ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit të mëtejshëm”, thotë de Souza.
Shifrat për periudhën nga janari 2023 deri në korrik 2024 tregojnë se 1,541 fëmijë, 230 vajza dhe 1,311 djem dhe 1,714 të rritur, 1,244 burra dhe 470 gra janë referuar dy ose më shumë herë në mekanizmin kombëtar të referimit për një shërbim si viktima të mundshme dhe të konfirmuara të trafikimit.
“Ne e dimë se mekanizmi kombëtar i referimit (NRM) nuk i mbron sa duhet fëmijët që janë viktima të shfrytëzimit kriminal. Ne presim që qeveria të fusë shfrytëzimin kriminal të fëmijëve si një vepër të re dhe kjo duhet të shkojë paralelisht me përmirësimin e identifikimit dhe mbrojtjes së të gjithë fëmijëve viktima.”
Patricia Durr, shefja ekzekutive e organizatës kundër trafikimit Ecpat UK, i përshkroi shifrat si “tronditëse” dhe tha se kishte të ngjarë që mijëra fëmijë të ishin ritrafikuar në dy vitet e fundit.
Qëllimi i NRM-së është të mbrojë njerëzit nga abuzimi i mëtejshëm pasi ata nuk janë më të kontrolluar nga trafikantët e tyre, duke ofruar strehim të sigurt, këshillim dhe mbështetje për t’i ndihmuar ata të rikuperohen nga sprova e tyre.
Durr tha se për fëmijët viktima që janë nën kujdesin e autoriteteve vendore, strehimi i tyre ka gjithashtu të ngjarë të rrisë rrezikun e shfrytëzimit, me të dhënat që tregojnë se një në tre fëmijë të trafikuar zhduken dhe rrezikohen nga ritrafikimi.
“Këto shifra tronditëse zbulojnë gjendjen e rëndë të procedurës së identifikimit dhe mekanizmave të mbrojtjes për fëmijët viktima në Britani, me mijëra fëmijë që ka të ngjarë të jenë ritrafikuar në dy vitet e fundit. Pasi të identifikohen, fëmijët duhet të mbrohen dhe të marrin një sërë të drejtash që të ndihmohen të kalojnë vështirësitë. Megjithatë, për shumicën e fëmijëve, hyrja në NRM nuk është gjë tjetër veçse një ambient ku duhet tu binden urdhrave”.
Ajo shtoi se disa nga fëmijët viktima që mbështeteshin nga organizata e saj kishin pritur prej vitesh këshillim ligjor dhe akses në shërbimet e shëndetit mendor, gjë që i kishte lënë ata të cenueshëm ndaj ritrafikimit.
Maya Esslemont, drejtoresha e organizatës After Exploitation, tha se këto të dhëna tregojnë se sa fëmijë dhe të rritur po rrezikojnë për shkak të problematikave që ka shteti në mekanizmin e mbrojtjes së tyre.
“Është shqetësuese, gati gjysma e të referuarve më shumë se një herë janë fëmijë. Duhet bërë më shumë për të siguruar që viktimat të kenë akses në mbështetje të garantuar që nga momenti kur ata vijnë në kontakt me autoritetet.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.