Para

Zhvlerësimi i valutave dhe çmimet e larta / Emigrantët sollën 510 mln euro në Shqipëri për 6 muaj

Nga Gazeta 'SI'- Dërgesat e emigrantëve arriti vlerën më të lartë të regjistruar këtë vit.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të qershorit 2024, në Shqipëri hynë 510 mln euro në formën e remitancave. Nga një vit më parë, rritja llogaritet rreth 15%.

Siç dëshmohet dhe në grafik, paratë që emigrantët kanë sjellë në Shqipëri janë rritur progresivisht nga viti në vit që prej 2017-s, ku nisi një valë e fortë emigrimi.

Kostot e rritura të jetesës si edhe zhvlerësimi i valutave të huaja kanë detyruar emigrantët të dërgojnë më shumë para për familjarët e tyre, në vendin me pagën dhe pensionet më të ulëta në rajon.

Sipas përllogaritjeve të Eurostat, dërgesat vjetore të emigrantëve shqiptarë në atdhe shkojnë deri në 10% të PBB-së. Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar janë burimet kryesore të parave që vijnë në Shqipëri si remitanca.

Një analizë e kryer nga qendra Altax, shpjegon se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv i shqiptarëve, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale. Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë