Para

Reforma e pagave / Shteti paguan më mirë por rrogat u rritën më shumë në privat

Nga Gazeta ‘SI’ – Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri raportohet 75.114 lekë deri në fund të qershorit 2024, me rritje 5.9% nga një vit më parë.

Krahasuar me tremujorin e parë, gjatë tremujorit të dytë rritja ishte vetëm 2%, duke treguar kështu një ngadalësim në reformën e pagave, nisur një vit më parë.

Sipas shifrave të INSTAT, gjatë tremujorit të dytë, rritja e pagave në privat ishte më e madhe se ato në shtet, me rritje reciproke 6.7% dhe 1.8%. Gjithsesi shteti ka pagë mesatare dukshëm më të lartë, 85.901 lekë krahasuar me 70.430 lekë në privat.

Statistikat tregojnë gjatë tremujorit të dytë 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe informacioni dhe Komunikacioni.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2024 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ka rritjen më të madhe prej 11.4%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 3%.

Sipas profesionit, menaxherët, drejtorët dhe ligjvënësit kanë pagën më të lartë në vend, mbi 122 mijë lekë, ndjekur nga profesionistët me pagë mbi 97 mijë lekë.

Bujqësia dhe peshkimi vazhdojnë të kenë paga minimale, me një rritje të papërfillshme.

Në fillim të vitit 2023, një nismë e qeverisë për të rritur pagat në administratë ndikoi në rritjen e pagës mesatare bruto. Qeveria synonte që me rritjen e pagës në shtet do të ushtronte presion dhe për atë në privat, por nuk rezultoi kështu.

Ekspertët e fushës shpesh kanë analizuar se rritja e pagës me urdhër, pa rritje të produktivitetit mund të kthehet në një bumerang për financat e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë