Nga Gazeta Si - Partia Demokratike nuk ka ndonjë garanci se kërkesa e saj për qeveri teknike do të realizohet, por përpjekjet do të jenë maksimale dhe të çdo forme. Se cilat do të jenë format, nënkryetari i PD-së dhe kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi rezervohet t’i deklarojë në publik, por ai tha në një intervistë për Gazeta Si se vendosmëria e opozitës për ta arritur këtë kërkesë është e palëkundur. Patjetër, që për t’u realizuar kërkohet mirëkuptim më i gjerë sesa thjesht kërkesa e opozitës. “Për ne primar është fakti që nuk qëndrojmë duarkryq. Nuk presim fatin që na ka diktuar Edi Rama dhe qeverisja e tij e korruptuar, që deformon zgjedhjet dhe synon të vijojë të vjedhë Shqipërinë edhe për katër vite të tjera.” tha zoti Bardhi, i cili shpjegon ndikimin e një qeverie teknike në zgjedhje. “Një qeveri teknike do të siguronte barazinë e palëve në zgjedhje, do te ishte një garanci e madhe për zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestuara” u shpreh nënkryetari i PD-së.
Por a po i shkon pas PD-ja një ideje që ka dështuar në të kaluarën, madje edhe kur është arritur marrëveshje? Gazment Bardhi e bën të qartë në intervistën për Gazeta 'Si' se në çfarë rruge të minuar po shkel opozita.
Gazeta Si: Zoti Bardhi, kërkesa kryesore e opozitës është qeveria teknike, pa Edi Ramën. Si do ta arrini këtë?
Gazment Bardhi: Kjo kërkesë nuk duhet parë si një kërkesë që i shërben PD-së. Qeveria teknike është një nevojë për Shqipërinë, që në vitin 2025, vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, të pandikuara nga presioni shtetëror, nga korrupsioni qeveritar dhe nga paraja e pistë e krimit të organizuar. Është e papranueshme që administrata shtetërore të jetë një ushtri elektorale e PS. Eshtë e papranueshme që paratë e buxhetit të shtetit, të cilat duhet të shkojnë për investime në dobi të qytetarëve, të përdoren nga partia shtet për të paracaktuar votën e shqiptarëve. Një qeveri teknike do të siguronte barazinë e palëve në zgjedhje, do te ishte një garanci e madhe për zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestuara.
Në vitin 2025, Shqipëria, edhe si një vend anëtar i NATO-s, edhe si vend kandidat për anëtarësim në BE, të bëjë zgjedhje, ku OSBE konstaton se cenohet liria e votës apo shteti dhe partia në pushtet janë shkrirë në një. Në këtë kuptim, është detyra jonë për të sensibilizuar qytetarët që kjo s’është nevojë partiake për të marrë pushtetin, por u shërben atyre që të kenë një qeverisje që punon për ta, në shërbim të tyre.
Gazeta Si: Ku ndryshon kërkesa e tanishme e PD-së për një qeveri teknike nga ajo e vitit 2017, për të cilën pati një marrëveshje Rama-Basha, por Rama qëndroi kryeministër dhe ju u emëruat ministër teknik?
Gazment Bardhi: Koha kur parashtrohet kërkesa e tanishme është shumë muaj para zgjedhjeve, ndërsa atëherë u bë në shkurt dhe marrëveshja u arrit në maj, pak para zgjedhjeve. Në 2017-ën kishim një gjysmë qeverie teknike me kryeministër Edi Ramën, të cilës iu dha kohë vetëm 3 javë për të ndërprerë fijet e administratës publike në zgjedhje. Koha atëherë krejt e pamjaftueshme dhe nuk solli rezultatin e kërkuar nga opozita. Një qeveri teknike që krijohet muaj para zgjedhje është një garanci për t’i siguruar palëve barazi në zgjedhje. Ka edhe një ndryshim tjetër. Në atë kohë, PD u përqendrua vetëm tek ky aksion politik, pra tek kërkesa e qeverisë teknike, duke lënë jashtë vëmendjes organizimin elektoral të PD-së. Kjo solli atë rezultat të dobët të PD-së në 2017-ën. Tani, fokusi është tek aksioni politik, por ne kemi në vëmendje të shtuar organizimin elektoral të partisë. Të dyja këto do të ecin paralel me njëra-tjetrën.
Gazeta Si: Ka shumë që mendojnë se kërkesa për qeveri teknike është diçka e pamundur. A po ndiqni të njëjtën rrugë ku keni dështuar disa herë?
Gazment Bardhi: Në parim, me Edi Ramën, shumë gjëra pozitive për vendin duken të pamundura dhe e kuptoj skepticizmin që ju shprehni. Fakti që Edi Rama nuk dëshiron zgjedhje të lira e të ndershme, nuk nënkupton që opozita nuk do të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar këto zgjedhje. Kërkesa për qeveri teknike është një nga këto zgjedhje. Ne nuk mund të dorëzohemi pa bërë betejën tonë. E rëndësishme është që përpjekja të jetë serioze, vendosmëria për ta arritur këtë objektiv të jetë serioze. Patjetër, që për t’u realizuar kërkohet mirëkuptim më i gjerë sesa thjesht kërkesa e opozitës. Për ne primar është fakti që nuk qëndrojmë duarkryq. Nuk presim fatin që na ka diktuar Edi Rama dhe qeverisja e tij e korruptuar, që deformon zgjedhjet dhe synon të vijojë të vjedhë Shqipërinë edhe për katër vite të tjera. Detyra jonë është të sensibilizojmë qytetarët që kjo kërkesë e PD është e vetmja zgjidhje për problemet e tyre, sepse, përmes zgjedhjeve të lira, garantohet një qeverisje në shërbim të qytetarëve.
Gazeta Si: Zoti Berisha ka lënë të kuptohet se protestat e mëdha nuk janë forma më e mirë për të detyruar Edi Ramën të tërhiqet. Parashikoni paralizim të pikave nevralgjike të funksionimit të shtetit, rrugë, porte, aeroporte?
Gazment Bardhi: Një përpjekje interesante kjo nga ana juaj për të zbuluar planin tonë, por në ditët në vijim lëvizjet tona do të bëhen publike. E vetmja gjë që mund të them është se nuk përjashtohet asnjë prej formave të reagimit qytetar. Për Shqipërinë është jetike që zgjedhjet 2025 të jenë vetëm të lira, të barabarta, por të garantojnë një rezultat që nuk kontestohet nga palët. E rëndësishme është që PD dhe opozita kanë vendosmërinë për të luftuar dhe për të reaguar me qëllim që të garantojmë standardet më të larta demokratike në zgjedhje, por, nga ana tjetër, edhe për të mos i lënë kundërshtarit terrenin bosh.
Gazeta Si: Zoti Bardhi, si e pritët deklaratën e kryeministrit Rama se PD-ja nuk do të marrë më shumë deputetë sesa në vitin 1997? Pra, jo më shumë se 25 deputetë.
Gazment Bardhi: Rikthimi i Edi Ramës në vitin 1997 tregon vizionin që ai ka për Shqipërinë. Nga njëra anë flet për Shqipërinë 2030, nga ana tjetër ka mbetur parapa tek 1997-a. Tregon edhe urrejtjen që ka për opozitën, jo thjesht për PD-në, por për opozitarizmin, si koncept. Shqipëria e vitit 2025 duhet të jetë vendi që qeveriset nga nevojat e qytetarëve të ndershëm, të cilët duan të jetojnë këtu. PD do të bëjë gjithcka, bashkë me shumicën e shqiptarëve, për të garantuar rotacionin politik dhe fitoren e PD. Po e përsëris, ky nuk është një shërbim partiak, nuk është një fitore e ngushtë, rotacioni i duhet Shqipërisë.
Një kryeministër pa bilanc pozitiv për qytetarët, ka interes të rikthejë vitet më të errëta të këtyre tre dekadave e gjysëm. Nuk ka shpjegim tjetër që 12 vite pas largimit të PD nga pushteti, kryeministri vazhdon të merret me opozitën dhe ta bëjë përgjegjëse për keqqeverisjen e tij. Dikush që ka shteruar nga idetë për të sjellë diçka të dobishme për qytetarët, nuk ka rrugë tjetër veçse të merret me opozitën dhe të hedhë baltë mbi kundërshtarin politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.